Shtatorja e Idriz Seferit në Gjilan.

Idriz Seferi i Kthehet Gjilanit në Bronx

Shtatorja e prijësit të kryengritjeve shqiptare kundër Perandorisë Osmane të fillimit të shekullit të kaluar, Idriz Seferi, u inaugurua sot në qendër të Gjilanit.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje nderon “Kreshnikun e Karadakut” dhe i bën nder komunës që ai e drejton.

“Ne i bëjmë nder kryengritësve të Karadakut e Gjilanit që morën pjesë në çlirimin e Gjilanit e  Shkupit dhe gjithë atë kryengritje për ta çliruar vendin. 27 Nëntori është dita e Idriz Seferit, ne do ta shënojmë si ditë të veçantë, si rikthimin e tij në Karadak“, tha Haziri.

Presidentët e Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi e Ilir Meta, dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ishin ndër ata që e zbuluan shtatoren

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në kuadër të ko0mpetencave që ka, i ka akorduar Idriz Seferit urdhrin më të lartë “Hero i Kosovës”.

“Kam kryer një obligim simbolik për figurën madhore të prijësit të kryengritjes së shqiptarëve. Është njëra ndër figurat më të mëdha të lëvizjes kombëtare për mbrojtjen e tokave shqiptare”, tha Thaçi.

“Shtatorja e Idriz Seferit po inaugurohet në 90 vjetorin e vdekjes së tij dhe 105 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë… Idriz Seferi dha kontribut në kryengritjet e vitit 1908 e 1912 që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë”, shtoi ai.

Ndërsa Presidenti shqiptar, Ilir Meta, tha se “historia e djeshme dhe e sotme e Gjilanit dhe Anamoravës i bën nder jo vetëm historisë së Kosovës por mbarë kombit shqiptar”.

“Jemi vërtetë dy shtete por jemi një komb i pandarë, i bashkuar më 28 Nëntor”, tha Meta.

Në emër të familjes së Idriz Seferit, foli Sefer Isufi, që është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Neve të gjallëve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se ta vazhdojmë përmbushjen e amanetit të tyre (heronjve)”, tha Isufi.