Identifikohet peshkatari i zhdukur në liqe, ende nuk është gjetur trupi i tij

Peshkatari 57-vjeçar që dyshohet se ka humbur jetën në ujërat e liqenit të Ohrit në Pogradec, është shtetasi Gëzim Seitllari.

Informacionet bëjnë me dije se 57 vjeçari ka dalë për peshkim prej 31 dhjetorit në orën 5 të mëngjesit ndërkohë që nuk është kthyer më në banesë.

Pas disa orësh ka humbur kontaktet me familjarët, të cilët kanë njoftuar policinë.

Sipas familjarëve, policia ka filluar kërkimet për peshkatarin ditën e djeshme, por pa rezultat.

Mëngjesin e së mërkurës varka e peshkatarit, që rezulton i humbur, është gjetur në thellësi të liqenit, në Hudenisht, çfarë ka shtuar dyshimet se peshkatari është mbytur.

Në kërkim të trupit janë vënë peshkatarët e zonës, ndërsa pritet mbërritja e polumbarëve, për të kërkuar në ujërat e liqenit dhe për të nxjerrë në breg trupin e Seitllarit.