Identifikohet dhe Arrestohet i Dyshuari për Vrasje në Gjakovë
Policia e Kosovës njoftoi sot se ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes në një fshat të Gjakovës.
Policia tha se më 16 shkurt 2018 stacioni policor në Gjakovë kishte marrë informatën se në një shtëpi banimi në fshatin Rogovë të Gjakovës gjendej një trup i një gruaje pa shenja jete.
“Policia me të gjitha ekipet relevante ka dalë në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër rome/kosovare e moshës 55 vjeçare”, thuhet në komunikatën e Policisë të rajonit të Gjakovës.
“Me rastin e këqyrjes së vendit të ngjarjes Policia fillimisht ka dyshuar se bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë dhe në bashkëpunim me prokurorin e shtetit janë marrë të gjitha masat operativo-hetimore si dhe nga raporti mjekoligjor është konstatuar se kemi të bëjmë me vdekje të dhunshme respektivisht vrasje”, vazhdon komunikata.
Pas veprimeve hetimore Policia ka arritur që pas pesë ditësh të identifikojë dhe të arrestojë kryesin e kësaj vrasje i cili është një një 37 vjeçar F.G. i përkatësisë etnike rome.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit i arrestuari po mbahet në ndalim policor dhe ndaj tij është ushtruar kallëzim penal”, thuhet në komunikatë.