Pamje nga konferenca për potencialet e rajonit Qendër - Foto: KALLXO.com

Identifikohen Potencialet Ekonomike të Rajonit Qendër

Identifikimi i skemës së prodhimeve vendore, ridizajnimi i granteve qeveritare e komunale dhe përmirësimi i kushteve për investime ishin çështjet që u diskutuan gjatë konferencës për identifikimin e potencialeve ekonomike të rajonit Qendër të organizuar nga Instituti “Riinvest”.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i “Riinvest”-it, tha se më këtë hulumtim janë identifikuar sektorët strategjikë të ekonomisë për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës.

“Qëllimi i këtij studimi është të identifikojë ata sektorë konkurrues në rajonin ekonomik Qendër duke përdorur një sërë kriteresh si intensiteti punues, potenciali për investime, niveli i vlerës së shtuar, kërkesat e tregut vendor e ndërkombëtar dhe presionin konkurrues”, tha ai.

Ndërsa, Alban Hashani, drejtor i hulumtimeve në këtë institut, gjatë prezantimit të raportit “Potencialet ekonomike në rajonin Qendër” tha se janë identifikuar ata sektorë strategjikë që krijojnë vende pune.

Sipas Hashanit sektorit të bujqësisë duhet t’i krijohet mjedis më i favorshëm për investime.

“Të gjithë këta sektorë që janë identifikuar në këtë hulumtim janë inkurajues me numër të punëtorëve sezonalë si në bujqësi dhe ndërtim nga të cilat potencialet e komunave janë inkurajuese për investime, por në veçanti sektorit të bujqësisë duhet t’i krijohet mjedis më i favorshëm për investime”, porositi Hashani.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, tha se duhet të ketë rimodelim të subvencioneve, lidhje të prodhimit vendor me tregun, treg për prodhuesin vendor dhe lidhje e shkollave profesionale me tregun.

Kurse, Vjollca Çavolli, nga shoqata “TIK”, tha se teknologjia e informacionit në Kosovë ka potencial për zhvillim, por që duhet të punuar bashkë me qëllim që ky sektor të jetë sektori për zhvillimin e vendit.

Bujqësia, prodhimi i tekstilit, ndërtimi, përpunimi i ushqimit dhe teknologjia e informacionit ishin sektorët që janë trajtuar në këtë hulumtim.

Komunat që bëjnë pjesë në këtë hulumtim ishin Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Lipjani, Drenasi Fushë-Kosova dhe Graçanica.