Ibrahimi: Po shkoj në ‘Trepçë’ për ta ngritur këtë gjigant ekonomik

Basri Ibrahimi nga sot nuk është më Kryeinspektor i Punës. Ai këtë e bëri vetë të ditur në një konferencë lamtumirëse për media.

Ibrahimi është zgjedhur drejtor menaxhues në “Trepçë” javë më parë ndërsa ai tha se në “Trepçë” po shkon për të kontribuar në gjendjen e saj.

“Faktori njeri ka qenë përcaktues për gjendjen në të cilën është “Trepça” e cila nuk është në gjendje të mirë. Unë besoj në kapacitetet e mija, besoj shumë se do ta ndryshojmë gjendjen atje. Nuk kam shkuar as për pagë, as për autoritet, por thjeshtë ka qenë dëshira që të kontribuoj në ngritjen e “Trepçës”, tha ai.

“Unë jam njeri i sfidave, që i pranoj sfidat dhe nuk frikohem nga sfidat. Unë jam mitrovicas me prejardhje dhe kam dëshirë që të kontribuoj në Mitrovicë dhe në momentin që e kam pa konkursin në “Trepçë, kam apliku”, tha tutje Ibrahimi.

Ibrahimi tha se po largohet nga institucioni i Inspektoratit të Punës pasi që ka vlerësuar se ka dhënë mjaftë për këtë institucion.

“Kam vlerësuar se pas 9 vitesh, kam vlerësuar se kaq kam mundur të jap në Inspektorat të Punës”, deklaroi Ibrahimi.

Ish- kryeinspektori i Punës ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë ndikime politike në vendimet e inspektorëve gjatë punës.

“Ne kemi shqiptuar gjobë edhe nga Feronikelit dhe ndaj KEK-ut. Edhe ndaj drejtorëve të ShSKUK-së por edhe ndaj drejtorëve të arsimit. Imunitet nuk ka pas askush pavarësisht se çfarë pozite ka pas. Në vendimet e inspektoratit të punës nuk ka pas ndikime politike”, tha ai.

Në fund, Ibrahimi ka falënderuar mediat për bashkëpunimin dhe ka premtuar se një bashkëpunim të njëjtë do ta ketë edhe në pozitën e re në “Trepçë”.

Konferencë lamtumirëse e Kryeinspektorit të Punës Basri Ibrahimi

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 7 juin 2019