Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe anëtari i ri i kësaj partie, Ibrahim Gashi - Foto: KALLXO.com

Ibrahim Gashi Aderon në PDK

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ka zyrtarizuar sot aderimin e tij në PDK.

Kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, tha se lidershipit të Partisë Demokratike të Kosovës po i bashkëngjitet një anëtar i ri – profesori e eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi.

“Kam bërë thirrje e do të bëj prapë: njerëzit e mirë e të gjithë intelektualët, çdo njeri që mund të japë kontribut, të angazhohet politikisht. E PDK do t’u japë përkrahje, veçanërisht të gjithë atyre njerëzve të mirë të japin kontribut”, tha Veseli.

Ndërsa, anëtari i ri i PDK-së, Ibrahim Gashi, tha se është nder për të që sot po bëhet pjesë e forcës politike numër një në vend, “jo veç sot por forcës një politike në të gjitha proceset e shtetndërtimit”.

E kreu i PDK-së u bëri thirrje qytetarëve që të marrin përgjegjësi, të futen në politikë e të mos ua lënë vendimet “njerëzve të papërgjegjshëm”.

Profesori universitar, Ibrahim Gashi, ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës deri më 8 shkurt 2014, kur dha dorëheqje pas protestave për shkak se përdori punimet e publikuara në revista të dyshimta për të marrë titullin profesor i rregullt.

Gashi Dorëhiqet nga Posti i Rektorit

Studentët Këmbëngulin në Dorëheqjen e Rektorit (TV)

Para se të emërohej rektor i UP-së më 2012, Ibrahim Gashi ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në këtë kohë, Gashi ishte pjesë e Aleancës Kosova e Re të Behxhet Pacollit.