Foto: Kallxo.com

I vjen fundi gjykimit për grabitje në pompë të benzinës në Gjakovë

Në gjykimin për grabitje ndaj të akuzuarve Fatlind Ukëhaxhaj dhe Suad Puzo, sot u tha fjala përfundimtare e palëve në procedurë.

Sipas aktakuzës Fatlind Ukëhaxhaj, Suad Puzo dhe Abnor Loshaj, i cili mbetet në arrati, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishin grabitur pompën e benzinës “Petrol Company” në afërsi të Gjakovës.

Por para se të jepej fjala përfundimtare, kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani theksoi se i akuzuari Fatlind Ukëhaxhaj kishte theksuar bindshëm se natën kritike ka qenë në Istog.

Foto: Kallxo.com

Ai tha se kjo mund të vërtetohet nga videoincizimet nga stacioni policor në Istog, dhe se për këtë trupi gjykues është njoftuar se atë natë në Istog janë kryer 5 vjedhje dhe se ndaj të akuzuarve Ukëhaxhaj dhe Loshaj për një rast të ndodhur atje është ngritur kallëzim penal nga Istogu.

Prokurori Agron Matjani, në fjalën e tij përfundimtare, kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpall fajtorë, mirëpo gjatë marrjes së dënimit të ketë parasysh se dy të akuzuarit kanë të kaluar kriminale.

Gjykimin e sotëm e drejtoi kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me gjyqtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Fatlind Ukëhaxhaj, avokati Agim Muhaxhiri, kërkoi nga gjykata që klientin e tij ta lirojë nga përgjegjësia penale dhe mos ta marrë për bazë aktakuzën, me arsyetimin se “nuk ka mbështetje në prova materiale por vetëm në supozime”.

Vetë Fatlind Ukëhaxhaj tha para gjykatës se është i pafajshëm dhe se deklaratat e dëshmitarëve në gjykimin e kaluar janë “të pavërteta”.

“Deklarimet në polici i kam dhënë sepse kam qenë i detyruar ngase më kanë rrahur”, tha i akuzuari Ukëhaxhaj.

Foto: Kallxo.com

Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Suad Puzo, avokatja Blerina Kurtaj, kërkoi nga gjykata që klientin e saj ta lirojë nga aktakuza “në mungesë të provave”.

Vetë i akuzuari Puzo tha se është keqtrajtuar nga policia e Gjakovës dhe se ata i kishin kërkuar që ta pranojë fajësinë.

Në lidhje me këtë rast kishin dëshmuar disa dëshmitarë, e ndër ta edhe ish e dashura e njërit prej të akuzuarve.

Ajo, në kamerat e pompës së vjedhur e kishte identifikuar të akuzuarin Fatlind Ukëhaxhaj.

https://kallxo.com/rrefimi-i-ish-dashnores-te-te-akuzuarit-per-grabitje/

Sipas të dhënave që kishte siguruar gjykata, mësohet se ndaj të akuzuarit Fatlind Ukehaxhaj zhvillohen 3 procedura tjera penale për vjedhje, njëra në gjykatën e Pejës.

Ndërsa ndaj të akuzuarit Suad Puzo zhvillohet një procedurë tjetër penale në gjykatën e Pejës, si dhe i njëjti kishte qenë i dënuar për dy vepra penale të narkotikëve dhe një për vjedhje.

Prokuroria pretedon se kjo grabitje kishte ndodhur në nëntor të vitit 2017 në pompën e derivative “Petrol Company” në fshatin Hereq afër Gjakovës.

Sipas aktakuzës, Fatlind Ukëhaxhaj, Suad Puzo dhe Arbnor Loshaj- i cili gjendet në arrati- kishin grabitur pompën e derivateve në fshatin Hereq të Gjakovës.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë qenë të maskuar dhe nën kërcënimin e armës, duke hyrë dhunshëm në marketin e pompës kishin arritur që të dëmtuarit Fatos Kukalaj t’ia marrin 200 euro bashkë me një pistoletë.

Sipas aktakuzës, pistoletën që e kishte marrë në sirtarin e dollapeve të pompës, Fatlind Ukëhaxhaj e kishte shitur në Pejë.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 26 dhjetor.