Funtet e sekuestruara - Foto: Facebook/PoliciaeShtetit

I sekuestrohen 145 mijë funte angleze, i kishte fshehur në lavatriçe

Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Doganës e Shqipërisë kanë arrestuar 25-vjeçarin D.D., banues në Korçë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ky shtetas duke udhëtuar me automjetin tip “Mercedes-Benz Sprinter”, ka hyrë nga Greqia për në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Qafë -Botë, Sarandë.

Shtetasi D.D. në hyrje në pikën e kalimit kufitar ka deklaruar mallrat që transportonte, lavatriçe dhe frigoriferë, ndërsa shumën e parave nuk e ka deklaruar, por e kishte fshehur.

Strukturat operativo – hetimore të Doganës në Sarandë në bashkëpunim me Policinë, kanë ndaluar në aksin rrugor Qafë-Botë – Sarandë automjetin që drejtohej nga ky shtetas dhe e kanë shoqëruar në PKK Kakavijë për një kontroll të imtësishëm me skaner, pasi strukturat operativo – hetimore të Doganës dhe Policia dispononin informacion se ky shtetas po transportonte një shumë të madhe parash, të cilat nuk i kishte deklaruar në kufi.

Sipas njoftimit, pas kontrollit të imtësishëm dhe me skaner të bërë në Kakavijë, në disa lavatriçe, Policia dhe Dogana gjetën dhe sekuestruan 145.220 paund anglezë dhe skocezë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D.D. dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme.