I pandehuri për rastin tragjik në Mitrovicë: Nuk kam biznes të regjistruar dhe punëtorët janë pa kontratë

I pandehuri në rastin e shembjes së një pjese të hotelit “Adriatik”, Qamil Hajrizaj, ka deklaruar para Gjykatës në Mitrovicë se nuk e ka të regjistruar biznesin lidhur me punët që i kryejnë.

Ndërsa për katër punëtorët që kanë qenë në ditën kritike duke punuar në hotel tha se nuk kanë pasur kontrata.

“Punëtorët në momentin kur kanë punuar kanë pasur vetëm rrobat e punës, nuk kanë pasur mjet tjetër mbrojtës. Unë jam marrë vesh me Afrimin që t’i rrënoj muret e brendshme të atij objekti, dhe ato mure i kemi fiksuar bashkë me Afrimin se cilat duhet t’i rrënojmë. Ato mure kanë qenë në mes dhe kanë qenë disi si hark, si dekorim dhe kanë qenë të ndërtuara nga tjegullat. Kemi pasur t’i rrënojmë katër harqe”, ka deklaruar Hajrizaj në seancën e sotme paraprake.

I pandehuri tutje ka treguar se në momentin kur ka filluar të shembet ajo pjesë e hotelit tashmë i ndjeri Visar Behrami kishte qenë duke bërë siç ka thënë ai “rrafshimin me një ‘Hilt’”.

“I kemi hequr ato harqe dhe i kemi pastruar ditën e fundit, vetëm për t’i rrafshu muret dhe është e vërtetë se i ndjeri ka qenë duke i rrafshit me një Hillt kur ka fillu shembja. Unë deri një orë pa u shembur objekti kam qenë aty, dhe ju kam thënë rrafshojeni edhe atë pjesë dhe kam dalë”, ka thënë tutje në deklaratën e tij Qamil Hajrizaj.

I pandehuri gjithashtu ka thënë se për asnjë moment nuk ka ardhur asnjë inxhinier, asnjë arkitekt që ne të konsultoheshim lidhur me punën.

Në fund ai ka shprehur keqardhjen e tij të thellë për atë se çfarë kishte ndodhur.

“Më vjen shumë keq për këtë që ka ndodhur dhe jam i gatshëm që në çdo moment t’i përgjigjem organeve të drejtësisë dhe nuk di tjetër çfarë të them “, ka thënë në fund Hajrizaj.

Ndërsa avokati i tij, Imer Ahmetaj, ka kërkuar që si masë sigurie klientit të tij t’i caktohet një masë më e butë si ajo e arrestit shtëpiak.

“I njëjti asnjëherëë nuk mendon t’i ikë procesit gjyqësor e as drejtësisë ndërsa është shumë i prekur me rastin dhe ka thënë se shumë më i kënaqur do të ishte të ishte ai nën gërmadha sesa viktima. Me viktimën gjithmonë ka pasur marrëdhënie të mira dhe atë e ka marrë për të punuar, për t’i siguruar jetën tij dhe të familjes”, ka thënë Ahmetaj.

Visar Behrami vdiq të hënën pasi atë e zunë rrënojat e hotelit “Adriatik” në Mitrovicë, ku ai ishte duke punuar.