Foto: KALLXO.com

I pandehuri e pranon fajësinë për goditjen e këmbësorit me veturë

I pandehuri Bastri Arifi ka shprehur sot në Gjykatë keqardhje për aksidentin gjatë të cilit e kishte goditur me veturë Zenel Gashin.

Pasi e pranoi fajësinë për rastin, i pandehuri kërkoi nga Gjykata e Mitrovicës ta dënojë sa më pak.

Para gjyqtarit të rastit, Rrahman Beqiri, i pandehuri sot ka shpjeguar edhe pse nuk ishte ndalur t’i jepte ndihmë të dëmtuarit.

“Sa i përket faktit që nuk jam ndalur për t’i dhënë ndihmë, aksidenti ka ndodhur para shtëpisë së të dëmtuarit dhe sikur të isha ndal me siguri familjarët do të acaroheshin aty”, tha ai.

Tutje, Arifi tha se me familjen e të dëmtuarit i kanë rregulluar raportet dhe se nuk kanë asgjë të keqe mes vete.

“Është hera e parë që kam bërë aksident, prandaj e lus Gjykatën që t’i merr parasysh këto rrethana me rastin e caktimit të dënimit“, tha i pandehuri.

Pranimi i fajësisë u mbështet nga ana e prokurores së rastit Natasha Taniq, ndërsa u aprovua nga ana e gjykatësit Rrahman Beqiri.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër.

Bastri Arifi akuzohet nga Prokuroria se në janar të vitit 2018 në Mitrovicë, konkretisht mbi “Urën e Gjakut“ derisa ishte duke e drejtuar veturën e tij dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes nga pakujdesia e godet këmbësorin Zenel Gashi.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën në anën e djathtë e si pasojë e goditjes e hedh mbi mbulojë të motorit të veturës duke e gjuajtur mbi parafango dhe mbi kulm të automjetit dhe me këtë rast i dëmtuari përfundon në rrugë.

Më pastaj, me një automjet të rastit të dëmtuarin e dërgojnë në Emergjencën e Spitalit në Mitrovicë.

Me këtë, sipas Prokurorisë, Bastri Arifi akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Ndërsa meqenëse i akuzuari nuk ishte ndaluar për t’i ofruar ndihmë personit të lënduar por kishte vazhduar rrugën në drejtim të Skenderajt ai akuzohet se ka kryer veprën penale mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik.