Isuf Gashi - Foto: KALLXO.com

I intervistuari nga Gjykata Speciale largohet me veturë diplomatike

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isuf Gashi, është intervistuar sot në cilësinë e të dyshuarit nga hetues të Prokurorisë së Specializuar.

Rreth shtatë orë ka zgjatur intervista me të, e cila është zhvilluar në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë.

I njohur gjatë luftës me nofkën “Baca”, Isuf Gashi ka folur për media pas intervistës me hetuesit.

Ai tha se intervista do të vazhdojë edhe nesër.

Menjëherë pas prononcimit për media, Isuf Gashi, i cili në kokë mbante plisin e bardhë, është larguar me një veturë me tabela diplomatike.

KALLXO.com ka kontaktuar avokatin e Gashit, Et’hem Rugova, të cilin e ka pyetur se cila ishte arsyeja e largimit të tashmë të dyshuarit nga Gjykata Speciale me veturë diplomatike.

Shpjegimi i avokatit ishte se djali i Isuf Gashit është zyrtar në ambasadën e Kosovës në Shkup dhe ai mund ta ketë marrë babanë e tij me veturën diplomatike.