Leutrim Latifi (majtas) e Kastriot Shala, të kërkuarit nga policia, Foto: Facebook

I dyshuari për grabitje që tallej me Policinë arrestohet

Leutrim Latifi është arrestuar pas një kohe të gjatë kërkimi nga ana e Policisë. Ai është arrestuar në Mal të Zi.

Policia e Kosovës vazhdimisht kishte kërkuar bashkëpunimin nga ana e qytetarëve për të zbuluar vendndodhjen e Leutrim Latifit dhe Kastriot Shalës.

Policia e Kosovës me 16 tetor të vitit 2018 përmes një komunikate ka njoftuar se është në kërkim të tre personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve.

Ndër të kërkuarit ishte edhe Latifi.

Më 3 janar të këtij viti deri sa kishte ndodhur një grabitje në marketin “Meridian” në lagjen Dardania në Prishtinë, Kastriot Shala e Leutrim Latifi ishin shfaqur në shoqëri të njëri-tjetrit, me një fotografi në rrjetin social “Facebook”.

Postimin e tyre ata e kanë shoqëruar me mbishkrimin ‘E sa njeri ka ba turr, e u hi nër tavolinë si [qen]”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zedhënësin e Policisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Daut Hoxha.

Ai tha se arrestimi i Latifit është bërë në muajin shkurt.

“I apostrofuari është arrestuar me herët (në muajin shkurt 2019) në një shtet fqinj dhe mbetet kompetencë e autoriteteve për realizimin e ekstradimit sipas procedurave”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Në anën tjetër Policia nuk ka njoftuar gjatë muajit shkurt se i kërkuari për të cilin është kërkuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të gjetur vendndodhjen e tij, është arrestuar gjatë asaj kohe.