Foto: Kallxo.com

I dënuari kërkon dënim më të ulët për grabitje të bastores dhe pikës së karburantit

Gjykata e Apelit ka mbajtur seancën për të shqyrtuar ankesën e të dënuarit për grabitje të një bastoreje dhe një pike të karburantit.

Betim Aliu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me dënim unik prej 10 vjet burgim dhe 700 euro gjobë.

Në seancën e sotme, Aliu ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që dënimi i tij të ulet me arsyetimin se ndjen pendesë të thellë për aktet e kryera, e për të cilat edhe kishte pranuar fajësinë.

“Pendimi im është maksimal dhe u kërkoj falje publikisht. Ka qenë problemi te përdorimi i drogave, më ka shty që me bërë këtë lloj të natyrës së veprave. Kam mujtë edhe me ju marrë jetën(të dëmtuarve), tepër jam tu ndje keqardhje për atë që e kam ba. Ndihem i penduar thellësisht dhe gjithmonë do t’ju kërkoj falje”, tha Aliu.

Në sallë të gjykatës prezent ishte edhe përfaqësuesi i së dëmtuarës, bastores “Lumi Sport”.

“Nëse është mundësia dënim maksimal, asnjë ditë s’kisha pas qef me ia falë, na ka lënë me pasoja shumë të mëdha, nuk është në pyetje televizori. Kam pasë problem me familjarë të punëtorëve. Asnjë sahat me ia falë”, tha përfaqësuesi.

Ndërkaq, në seancë nuk ishte askush prezent nga të dëmtuarit e pikës së karburantit.

Sipas aktgjykimit të lexuar nga gjykatësi referues, Abdullah Ahmeti, Aliu është dënuar për dy vepra penale të grabitjes.

Njëra vepër e ngarkon atë se më 23 dhjetor 2017 në bastoren “Lumi Sport”, i akuzuari me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze ka përvetësuar pasurinë në mënyrë të kundërligjshme duke hyrë i maskuar dhe i armatosur në lokal ku edhe ka shtënë me armë, e më pas me forcë ka grabitur 300-400 euro.

Ndërkaq, pika e dytë e ngarkon atë se më 25 dhjetor të vitit 2017, rreth orës 18:35, në pikën e karburanteve “Beki Benz”, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze ka tentuar ta përvetësojë pasurinë në mënyrë të kundërligjshme, duke hyrë gjithashtu i maskuar dhe i armatosur në këtë pikë të karburantit. Aktakuza thotë se pas kacafytjes me pronarin e pompës, Qerim Hoti, i akuzuari ka shtënë tri herë me armë, duke e qëlluar një herë në krahun e majtë dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur.

Në seancë u bë e ditur se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, për çka edhe mbrojtësi i tij në ankesën e ushtruar ka kërkuar që ky fakt të konsiderohet si rrethanë lehtësuese, e po ashtu të konsiderohet edhe fakti se i njëjti është penduar thellë dhe nuk ka qenë i dënuar më parë.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, i dëmtuari Qerim Hoti, është udhëzuar në kontest civil, ndërsa përfaqësuesit e bastores nuk kanë kërkuar kompensim.