Gjykimi i Senad Ramajt - Foto: KALLXO.com

I akuzuari: Unë nuk kam vendosur vetë për shitjen e aseteve të 'Eco Higjienës'

Në Gjykatën e Gjilanit ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Senad Ramajt, i cili po akuzohet se në cilësinë e anëtarit të bordit të drejtorëve të kompanisë “Eco Higjiena” me veprimet e tij ka kryer  veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Seanca e sotme filloi me procedurën provuese, ku trupi gjykues në përbërje të anëtarëve Aziz Shaqiri kryetar dhe Islam Thaqi dhe Luljetë Shabani anëtarë, ua dorëzoi palëve nga një kopje të super-ekspertizës financiare të kryer nga komisioni i ekspertëve të Universitetit “Kadri Zeka” – Fakulteti Ekonomik në Gjilan.

Prokurori Arben Ismajli paraqiti kundërshtimin e tij, duke i kërkuar trupit gjykues që të caktojë ekspertë të tjerë që do ta vlerësonin vlerën reale të përfitimit të kompanisë “Eco Higjiena” me shitjen e aseteve. Propozim ky që u refuzua me aktvendim nga trupi gjykues.

Seanca më tutje vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Senad Ramaj.

Ai gjatë dëshmisë së tij u ballafaqua me një mori pyetjesh fillimisht nga ana e mbrojtësit të tij pastaj të prokurorit dhe kryetarit të trupit gjykues.

Gjatë dëshmisë së tij, Senad Ramaj rrëfeu për vendimet që ishin marrë nga mbledhja e bordit të drejtorëve të kompanisë “Eco Higjiena” për shitjen e aseteve të avarisura të kësaj kompanie.

Më tutje, ai tregoi se si në atë mbledhje është vendosur që të themelohet një komision për shqyrtimin e këtyre avarive dhe që për detyrë kishte vlerësimin e këtyre aseteve, nëse të njëjtat mund të riparohen apo jo dhe nëse të njëjtat nuk mund të riparohen eventualisht të shiten.

Për më tepër, ai i sqaroi edhe detyrat dhe përgjegjësitë që kishte si anëtar i komisionit në fjalë.

“Unë nuk kam dhënë mendim i vetëm për shitjen apo mosshitjen e aseteve të kësaj kompanie. Lidhur me këtë kemi vendosur si ekip”, tha i akuzuari.

I pandehuri më tutje u përgjigj edhe në pyetjet lidhur me procesverbalin e mbledhjes që është mbajtur nga ana e bordit të drejtorëve të kompanisë “Eco Higjiena”.

Lidhur me procesverbalin e mbledhjes, ai pohoi se është e vërtetë që ka ekzistuar një procesverbal i tillë dhe të cilin e ka mbajtur ai si anëtar i bordit.

“Por, a e kam nënshkruar unë këtë procesverbal dhe anëtarët e bordit nuk jam i sigurt të ju përgjigjem, pasi që këtë procesverbal jua kemi dërguar përmes emailit edhe anëtarëve të tjerë të bordit që nuk kanë qenë të pranishëm në atë mbledhje por duke përfshi edhe ata që kanë qenë të pranishëm”, tha Ramaj.

Gjatë seancës ai u përgjigj edhe për procedurën e shitjes së këtyre aseteve dhe nëse ka qenë në dijeni për një interpretim të lëshuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dhe cilat veprime ligjore janë ndërmarrë për realizimin e shitjes në fjalë.

Sipas tij, “për procedurën e shitjes së këtyre aseteve janë respektuar procedurat e parapara sipas ligjit për shoqëritë tregtare”.

Po ashtu ai tregoi se si kompani nuk kanë qenë të detyruar t’i përmbahemi Ligjit të prokurimit publik. Sa i përket mendimit të KRPP-së, se edhe kompania “Eco Higjiena” ka pasur për obligim që ta zbatojë Ligjin e prokurimit publik, i akuzuari Senad Ramaj u përgjigj duke thënë se: “nuk kam pasë dijeni, dhe se për këtë duhet të jetë në dijeni juristi i kompanisë”.

Prokurori Arben Ismajli e pyeti të akuzuarin se a kanë guxuar të shiten pa lejen e tij këto asete dhe përveç këtyre aseteve a kanë shitur edhe sende të tjera të kësaj kompanie.

“Këto asete kanë guxu m’u shit pa lejen time, sepse unë nuk jam pronar i kësaj kompanie. Kurse, me sa jam në dijeni përveç këtyre aseteve (kamionët dhe kontejnerët e avarisur) asgjë tjetër nuk kemi shitur në kompaninë tonë”, u përgjigj Senad Ramaj.

Për fund në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Aziz Shaqiri se nga e keni nxjerrë përmbajtjen e procesverbalit, nga dosja e arkivit apo nga kompjuteri, i pandehuri tha se përmbajtjen e procesverbalit të mbledhjes së bordit lidhur me shitjet e aseteve të avarisura e të shkruar në kompjuter ai e ka nxjerrë prej kompjuterit pasi që si procesmbajtës të njëjtin e ka dërguar në email-et e anëtarëve të bordit të drejtorëve, e jo prej dosjes së arkivit.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, Senad Ramaj, në fund të vitit 2012 dhe fillimin e vitit të 2013  si anëtar i bordit të kompanisë “Eco-Higjiena”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që sipas Prokurorisë me vendimin e falsifikuar ka formuar komisionin për shitjen e aseteve, pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik, ashtu që ka shitur shtatë automjete (kamionetat) dhe kontejnerë – pronë e kompanisë “Eco-Higjiena” të cilat asete janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80 e mijë e 576 euro, ndërsa të njëjtat automjete-asete dhe kontenjer janë shitur për mbeturina hekuri në total në shumën prej 16 mijë e 249, 30 euro, ashtu që këto asete janë shitur edhe pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës reale-ekonomike.

Në këtë mënyrë të dëmtuarën “Eco Higjiena” pjesën publike e ka dëmtuar në shumën prej 64 mijë e 327, 53 euro.

Shqyrtimi gjyqësor për këtë rast vazhdon më 12 nëntor.