Gjykimi ndaj Sokol Bashotës dhe të tjerëve - 27.05.2019...

I akuzuari Sokol Bashota: Jam i papunë, jetoj me rrogën e gruas dhe djalit

Ish kryetari i Klinës, Sokol Bashota gjatë seancës në gjykatën e Pejës ka deklaruar se është i papunë dhe jeton me të ardhurat që realizojnë gruaja dhe djali.

“Kam dy vetura dhe pasurinë e trashëguar në vendlindje, 2 hektar tokë. Aktualisht jam i papunë dhe jetoj nga të ardhurat që realizojnë bashkëshortja dhe djali”, u përgjigj Bashota.

Bashota, deklaroi sot se nga frika që po rrëshqet nuk është deklaruar deri më sot rreth akuzave të Prokurorisë ndaj tij.

“Jam duru shumë mos me fol që të mbrohem në heshtje se mos po rrëshqas për shkak të gabimeve të mundshme juridike, i mbështes deklarimet e avokatit tim”, deklaroi Bashota në seancën e sotme.

Ai deri sot akuzohej për keqpërdorim të detyrës, mirëpo pasi që prokurorja u tërheq nga ndjekja penale për ketë vepër, Bashota tani akuzohet vetëm për deklarim të rremë të pasurisë.

Për deklarim të pasurisë po akuzohet edhe Enver Berisha.

Sokol Bashota, Enver Berisha, Esat Raci dhe Fadil Gashi akuzoheshin se në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katror, me qira nga 20 euro në muaj.

Në aktakuzë thuhet se këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikantët me gjendje të dobët ekonomike.

Prokuroria pretendonte se Sokol Bashota si kryetar i degës së PDK-së, në Klinë, Esat Raci si sekretar i PDK-së në Klinë, Enver Berisha kryetar i degës së AAK-së dhe Fadil Gashi si kryetari i LDK-së, në Klinë kishin rënë dakord që ta ushtronin fuqinë e tyre politike për t’i siguruar votat e asamblistëve të kuvendit komunal për ndarjen e banesave.

Në aktakuzë përshkruhej se Bashota në cilësi të kryetarit të Klinës në mënyrë kundërligjore kishte emëruar pesë anëtaret e komisionit vlerësues për ndarjen e banesave duke e pasur parasysh interesin e tij personal si aplikant në atë proces.

Kryesues i atij komisioni ishte përzgjedhur Prenk Palushi i cili tani është gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Në aktakuzë përshkruhet se ish- kryetari Bashota e kishe udhëzuar kryesuesin e komisionit Prenk Palushi që ta prezantonte një listë prej 10 përfituesish si të para aprovuar.

Aktakuza nga e cila pjesërisht u tërhoq prokurorja përshkruante se në shtator të vitit 2009 kryetari Bashota kishte marrë 9 vendime për ndarjen e banesave duke e miratuar vendimin e Kuvendit Komunal në të cilën si përfitues të atyre banesave ishin identifikuar 10 persona, duke përshirë vet Sokol Bashotën dhe tre të akuzuarit e tjerë.

Prokuroria pretendonte se pas marrjes së vendimeve përfundimtare për ndarjen e banesave, Sokol Bashota dhe Esat Raci nuk i kanë informuar fare kandidatët e pasuksesshëm, dhe i kanë fshehur dokumentet që kanë pasur të bëjnë me procesin e ndarjes së banesave.

Të katërt ishin deklaruar të pafajshëm rreth akuzave që rëndojnë mbi ta.

Shpallja e Aktgjykimit ndaj Sokol Bashotës dhe Enver Berishës për deklarim të rremë të pasurisë pritet të bëhet të mërkurën më 29 maj 2019.