Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari se i mori armën policit, nuk vjen në gjykatë

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Xhavit dhe Orhan Islami, të akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe pengim të personit zyrtar, ka dështuar të mbahet në gjykatën e Mitrovicës.

Arsye e mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e dy te pandehruve, për të cilat gjykatësi i rastit Gëzim Ademi ka njoftuar se nga fletkthesa vertetohet se të pandehurit gjendet jashtë vendit.

Ndaj të pandehurve gjykata do të kërkojë verifikimin nga Policia e Kosovës për vendodhjen e tyre, kurse seanca e radhës u caktuar të mbahet në muajin tetor.

Ndryshe, Xhavit Islami akuzohet nga Prokuroria e Mitrovicës se në maj të vitit 2014 në Mitrovicë ka mbajtur në pronësi në mënyre të paautorizuar nga organet kompetente armën – revolen prodhim jugosllav dhe një karikator me katër fishekë.

Me këtë ka kryer vepren penale “ Mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar  të armëve “.

Po ashtu sipas aktauzës në ditën e njëjtë i pandehuri i lartëcekur së bashku me të akuzuarin Orhan Islami kanë penguar personat zyrtarë N.F dhe F.U në kryerjen e detyrës zyrtare.

Akuza e prokurorisë thotë se pas një aksidenti që kishte ndodhur në mes dy veturave drejtues të të cilave ishin Adnan Ademi dhe Orhan Islami, situata në mes tyre kishte filluar që të tensionohet. Policia që ishin në vend të ngjarjes ka kërkuar asistimin për qetësimin e situatës.

Sipas aktakuzës më pas kanë ardhur dy zyrtarët që fillimisht kanë qetësuar situatën, në ndërkohë ka ardhur i dyshuari Xhavit Islami ka hyrë në vendin e ngjarjes edhe pse nga i njëjti ishte kërkuar –urdhëruar që të kthehet e mos të hyjë.

Mirëpo i njëjti nuk i ka përfillur këto urdhëra dhe ka vazhduar në drejtim të të aksidentuarve ( në aksident ishte i përfshirë djali i tij – i dyshuari Orhani ).

Kurse tek i dyshuari Xhavit, sipas akuzës polici Fatmir Uka kishte vërejtur se i njëjtë me veti ka armë, ka kërkuar që ta kontrolloj por ai ka refuzuar dhe ka rezistuar gjatë përpjekjes për ta kontrolluar.

Në këto momente, gjithnjë sipas aktakuzës, ka ardhur i dyshuari tjetër Orhan Islami nga prapa dhe ia ka nxjerr revolen zyrtare nga kallëfi policit F.U, por menjëherë e ka ndërprerë zyrtari tjetër Nuhiu dhe ia ka marr këtë armë zyrtare nga dora të dyshuarit.

Ndërsa  gjatë intervenimit për t’i arrestuar të pandehurit, zyrtarët policor – të dëmtuarit policë kishin pësuar lëndime trupore, me pas që të dy të dyshuarit nga ana e zyrtarëve policorë janë shoqëruar në stacionin policor.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.