Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit - Foto: KALLXO.com

I akuzuari rrëfen kush e mori viktimën Abedin Bytyqi dhe çka ndodhi pas vrasjes

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi akuzohen se më 6 tetor 2016 rreth orës 15:30 në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë privuar nga jeta Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Nga të gjitha veprimet Prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.

https://kallxo.com/rrefehet-i-suharekasit-si-e-planifikoi-gruaja-vrasjen-e-burrit-te-saj/

Në seancën e djeshme mbrojtjen e ka dhënë Fadil Fetiu, i akuzuar për veprën penale të moslajmërimit të veprës penale.

Ai gjatë gjithë kohës sa ka dhënë mbrojtjen e tij ka kundërshtuar akuzat dhe deklarimet e të akuzuarit Murat Ademi, i cili gjatë deklarimit të tij në dy seanca të gjata dhe në një rrëfim të gjatë, e kishte ngarkuar për krimin e kryer.

Kryetari i trupit gjykues me të filluar seanca deklaroi se “për shkak të interesit të çështjes penale do të merret në pyetje i akuzuari Fadil Fetiu”.

Fadil Fetiu me të filluar mbrojtjen e tij tha se “e kanë marrë njeriun prej shtëpisë time me dhunë, s’kam pasë çka me ba, s’kam mujtë me i ndihmue ”, pasi që sipas tij i akuzuari Murat Ademi me veturën e tij e kishte marrë nga shtëpia e të akuzuarit Fadil Feitu tashmë të ndjerin Abedin Bytyqi, të cilit fillimisht ia kishte lidhur duart.

Avokati Blerim Mazreku përfaqësues i familjes së dëmtuar Bytyqi, e kishte pyetur të akuzuarin Fadil Fetiu se gjatë bisedave me Murat Ademin a ishte përmendur emri i Resmije Bytyqit.

“Murati e ka përmendur Resmijen që ajo me një marrëveshje ta marr mbi vete vrasjen”, deklaroi i akuzuari Fadil Fetiu.

Sipas aktakuzës Fadil Fetiu duke qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, e duke mos e lajmëruar një fakt të tillë, se i akuzuari Murat Ademi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e në prezencën e Fadil Fetiut, i akuzuari Murat Ademi është larguar së bashku me viktimën Abedin Bytyqin në drejtim të panjohur, e sipas aktakuzës Fadil Fetiu ka kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale apo kryerësit.

Avokati i Fadil Fetiu, Esat Gutaj ishte i pari që filloi marrjen në pyetje, e i cili kërkonte nga i akuzuari Fetiu të qetësohej dhe të tregonte ngjarjen si ka ndodhur dhe në detaje të sqaronte gjithçka dinte për ngjarjen e ndodhur.

“Jam shumë i qetë e të gjitha kam m’i tregu sot”, i tha Fadil Fetiu avokatit Gutaj, duke vazhduar se nga të gjitha deklarata e deritanishme që i ka dhënë para Policisë e Prokurorisë janë të vërteta, pos deklaratës së parë të dhënë në Polici 2-3 ditë pas ngjarjes kritike.

Avokati Gutaj e pyeti se “kemi dalë bashkë në vendin e ngjarjes me të akuzuarit tjerë, e Murat Ademi është deklaruar se i tërë krimi është kryer nga ju, se ju jeni kryerës kryesor i kësaj ngjarje dhe me pagesë. A e ke kryer këtë krim dhe a ke marr ndonjë pagesë për kryerjen e veprës penale siç thotë Murat Ademi?”.

Por i njëjti kundërshtoi deklarimet e Murat Ademit të dhëna më parë.

“Jo nuk është e vërtetë, akuzat që e bon Murati ndaj meje janë të gjitha shpifje, gënjeshtra e nuk ka asgjë të vërtetë”, tha i akuzuari.

Fadil Fetiu në mbrojtjen e tij tregoi se 10 ditë para ngjarjes kritike, ishte takuar me Murat Ademin, dhe i kishte treguar se i nevojitej një mjeshtër i rrymës, e Murat Ademi i kishte propozuar Abedin Bytyqin.

“Unë më herët nuk e kam njoftë Abedin Bytyqin, atë ma ka propozu Murati si mjeshtër”, tregoi Fadil Fetiu.

“Mos t’i biem rreth e qark, po të dalim në temë”, deklaroi Fadil Fetiu, e i njëjti filloi të tregonte se si rrodhi ngjarja sipas tij ditën kritike.

“Ditën kritike unë kam qenë në Rahovec, e më ka thirr Murat Ademi duke më pyetur se kur ka me e thirr Abedin Bytyqin për me mi kry qato punët e rrymës në shtëpi. Murati insistojke duke më thënë thirre Abedinin me u taku”, tha ai.

Fetiu shtoi se pas insistimit të Murat Ademit edhe e kishte thirrur Abedin Bytyqin për t’u takuar e për të shkuar tek shtëpia e tij.

Fadil Fetiu tregon se ka shkuar i vetëm me veturë për të marrë Abedin Bytyqin.
“Në rrugë u ndala e pashë Abedinin, fola pak me të, e më tha me shku me kerrin tem, e Abedini kerrin e vet e la qaty të parkuar, e kështu me veturën time shkuam në fshatin Peqan në shtëpinë time”, tha në mbrojtjen e tij Fadil Fetiu.

Avokati Gutaj e pyeti të akuzuarin Fetiu se a e njihte më parë të akuzuarën Resmije Bytyqin, bashkëshorten e viktimës Abedin Bytyqi, për çka ai u përgjigj me “jo”. “Për emrin e Resmije Bytyqit për herë të parë kam dëgjuar në bisedën e Muratit me Abedinin në shtëpinë time, Resmije Bytyqin nuk e kam njoftë më parë”, shtoi ai.

‘ Murati ka qenë prezent me mua kur unë bisedova me Abedinin edhe e u morëm vesh me shku te shtëpia ime”, deklaroi Fadil Fetiu kur u pyet se nga e dinte Murat Ademi se ky ishte me Abedin Bytyqin në shtëpi.

“Unë me Abedinin kemi ndejtë veç 5 minuta, e ka ardhë Murat Ademi me veturë, dhe ka hy brenda në oborr”, shtoi ai.

“Papritmas aty brenda në shtëpi filloi debati ndërmjet Muratit e Abedinit, kur filloi të tensionohet situata në mes tyre aty më tërhoqi vëmendjen se çka ka aty”, filloi të tregonte Fadil Fetiu për ngjarjen e ndodhur në shtëpinë në Peqan të Suharekës.

“Biseda në mes Abedinit dhe Muratit ishte se Murati filloi me akuzu Abedinin që po sillet keq ndaj Resmijes dhe fëmijëve të saj, e Abedini normal që kundërshtonte duke thënë se këto nuk janë të vërteta që më the dhe ty nuk të takon me u përzi”.

Në këto momente Fadil Fetiu tha se ka ndërhyrë për t’i ndalur këta të dy, por Murat Ademi i kishte thënë “ty nuk të intereson se unë Abedinin e kam dhëndër”.

“Unë i thash më intereson se jeni në shtëpinë time e nuk dua probleme, e në ato momente erdhi momenti kur Murati u ba nervoz dhe e nxori pistoletën, alltinë duke e kërcënuar Abedinin”, tregonte Fadil Fetiu duke vazhduar se i njëjti prapë kishte tentuar të ndërhynte.

“I thashë Muratit qetësohu burrë se je në shtëpinë time se çka po don kështu me ba kështu, po do me vra njerin a?”, tha Fetiu.

Ai shtoi se Murat Ademi i është drejtuar me armë dhe i ka thënë se “ty nuk të intereson kjo punë, mbylle gojën dhe mos u përzi”.

“Murati kërkoi me marr Abedinin me veti, me ballafaqu me Resmijen, e Murati para se me u nis ia ka lidhë duart Abedinit”, shtoi i akuzuari.

Fadil Fetiu vazhdoi duke treguar se Murat Ademi ishte larguar me veturën e tij, e brenda e kishte Abedin Bytyqin e lidhur, dhe se dikur pas 30 minutave pasi që janë larguar, në kafiterinë ”Bunari” Fadil Fetiu e kishte parë të akuzuarin Murat Ademi, i cili ishte kthyer aty.

“Kur i thash se çka u ba, Murati më tha kjo punë rregullohet, veç me i ba pak presion dhe do ta liroj Abedinin”, rrëfeu ai.

Më tutje gjatë deklarimit të tij Fadil Fetiu tregoi se vëllai i Murat Ademit, Reshati, kishte shkuar në Rahovec për ta takuar atë.

“Reshati ka ardhë me u taku me mua në Rahovec, me më thanë që Murati është arrestuar edhe ki të fala prej Muratit se qat deklaratë që ke dhënë në Polici në Suharekë me mbajt atë deklaratë”, shtoi ai.

Fadil Fetiu sqaroi se deklaratën e parë të dhënë në Polici 2-3 ditë pasi kishte ndodhur ngjarja “unë deklarova rrejshëm në Polici kur më kanë pyet se ku ka shkuar Abedini, e nuk i kam treguar krejt ngjarjen Policisë, por vetëm kam folur sipas sugjerimeve të Muratit”.

Avokati Blerim Mazreku, përfaqësues i familjes së dëmtuar  shpesh e ballafaqoi të akuzuarin Fadil Fetiu me deklarimet e tij të mëhershme të dhëna në Prokurori.

Ndër të tjera avokati Mazreku e pyeti se gjatë ditës kritike kur po qëndronin në shtëpinë e tij në Peqan pasi që Murat Ademi ishte larguar me Abedin Bytyqin përkundër faktit që Fadil Fetiu ishte takuar me një zyrtar policor pse nuk i kishte treguar për ngjarjen që sapo kishte ndodhur në shtëpinë e tij.

Po i akuzuari Fadil Fetiu shkurt iu përgjigj se ”atë ditë nuk i kam tregu, sepse askujt nuk kam tregu për këtë rast”.

Avokati Mazreku i kërkoi të akuzuarit Fadil Fetiu që të sqaronte situatën kur janë kthyer bashkë me të akuzuarin Murat Ademi për Suharekë. “Cila është e vërteta, a jeni kthyer në këmbë apo me veturë?”, pyeti avokati.

“Murati ka ardhur deri tek kafiteria ”Bunari ” me automjetin e tij, e Murati i ka pasur dy telefona me vete, unë kam kuptuar që ata janë të Abedin Bytyqit, e bashkë me disa dokumente tjera të Abedinit i ka hedhë”, tha i akuzuari.

E ditën kritike i akuzuari Fadil Fetiu deklaroi se në asnjë moment nuk e kishte parë të akuzuarin Reshat Ademi.

Përfaqësuesi i familjes Bytyqi, avokati Berim Mazkreu, i kërkoi të akuzuarit Fadil Fetiu të tregonte se gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi a i kishte treguar ai ndonjëherë se pse e kishte kryer atë veprim ditën kritike.

“Më ka treguar lloj-lloj versione Murati. Sa e kam kuptuar arsyeja dhe motivi ka qenë me motive të ulëta. Murati më ka treguar dhe kam dëgjuar se Abedini e ka prekur në moral dhe them se motivi i kësaj vrasje mbetet i fshehtë dhe ai e mban të fshehtë, por krejt ato që Murati i ka deklaruar janë gënjeshtra”, shtoi i akuzuari.

Tutje avokati Blerim Mazreku e pyeti Fadil Fetiun për takimet e tij me Reshat Ademin.

“A është e vërtetë se gjatë bisedave ndër të tjera i jeni drejtuar të akuzuarit Reshat Ademi me fjalët” Me bo me e gjete, e hëngrëm”, duke nënkuptuar se bëhet fjalë për gjetjen e trupit të viktimës Abedin Bytyqit.

“E gjatë bisedës a ju ka thënë Reshat Ademi: O, Fadil e kemi kryer tash mos bo za”, vazhdoi me pyetje tjera avokati Mazreku.

Fadil Fetiu tha se nuk e dinte konkretisht se çka kishte biseduar fjalë për fjalë me Reshat Ademin.

“E di që e kam pyet Reshatin ku është Abedini, çka po ndodh me të, e ai më ka thënë se nuk e gjejnë kurrë, vetëm ti mos u deklaro”, tha Fadil Fetiu.

Fadil Fetiu duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Mazreku, tregoi se Murat Ademi ka thënë se është në pritje të marrëveshjes me Resmije Bytyqin, por i njëjti nuk kishte dhënë sqarime se çfarë marrëveshje.

Sipas Fadil Fetiut, Murat Ademi asnjëherë pas ditës kritike nuk kishte përmendur ndonjë lokacion ose vend ku mund të gjendej Abedin Bytyqi qoftë i gjallë apo i vdekur.

Prokurori i shteti Genc Nixha e pyeti të akuzuarin Fadil Fetiu se a ka qenë i kërcënuar nga ndonjë i akuzuar tjetër.

“Atë ditë kur ka ndodhur rasti nuk kam qenë i kërcënuar, por me kalimin e kohës e kam ndjerë njëfarë kërcënimi nga ana e Muratit duke më thënë me mbyllë gojën se puna nuk është mirë”.

“Situata ka qenë e tensionuar pas kryerje së veprës penale, kam ndier frikë nga Reshati e familjarët e tij, më ka thënë që po vijnë 2 shokët e tij nga Shqipëria e se ata mund të më eliminojnë dhe ta kryejnë punën”, e këto Fadil Fetiu i kishte marrë si kërcënim nga i akuzuari Reshat Ademi.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, shqyrtimi gjyqësor është ndërprerë dhe janë caktuar datat 24 dhe 25 prill, për vazhdimin e shqyrtimeve të ardhshme, ku i akuzuari Fadil Fetiu do të vazhdojë me mbrojtjen e tij.

E pas të akuzuarit Fadil Fetiu, për të dhënë mbrojtjen e tyre do të paraqiten të akuzuarit tjerë , Reshat Ademi, vëllai i të akuzuarit Murat Ademi, dhe e akuzuara Resmije Bytyqi, bashkëshortja e  viktimës, Abedin Bytyqi.

https://kallxo.com/avokati-kerkon-qe-publiku-te-dije-si-u-vra-abedin-bytyqi/

I akuzuari i parë që ka paraqitur mbrojtjen e tij ka qenë Murat Ademi, i cili në 2 seanca që kanë zgjatur gjatë tërë ditës kishte treguar para trupit gjykues për ngjarjen e ndodhur, edhe në prani të Avdi Bytyqit, babait të viktimës Abedin Bytyqi.

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

Kallxo.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e seancave për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

https://kallxo.com/rrefimi-trondites-suharekasi-tregon-si-e-vrane-dhe-ia-dogjen-kufomen-abedin-bytycit/

www.kallxo.com