Gjykimi per vjedhje - Gjakove

I akuzuari pranon se ka vjedhur dhe shitur veturën

 

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për veprën penale të vjedhjes, u mbajt shqyrtimi fillestar pranë Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Dritan Bytyqi e Besian Rama po akuzohen se kanë vjedhur dy vetura dhe njërën e kanë shitur, ndërsa Naser Hoti po akuzohet për blerjen e veturës së vjedhur.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dëshire Jusaj, i pandehuri Naser Hoti e pranoj fajësinë për veprën që i ngarkohet dhe gjyqtari Mentor Bajraktari procedurën ndaj tij e veçoj, dhe shpalljen e aktgjykimit e caktoj për të Hënën me datën 19 nëntor.

“Unë e pranoj që veturën e kam blerë nga këta dy persona në vlerë prej 120 euro, mirëpo nuk e kam ditur që është e vjedhur”, tha i akuzuari Naser Hoti.

Ndërsa sa i përket dy të akuzuarve të tjerë, Dritan Bytyqi dhe Besian Rama, gjyqtari Mentor Bajraktari vendosi që të shkojë në shqyrtimin gjyqësor, me qëllimin që të vërtetohet gjendja e vërtetë.

I akuzuari Dritan Bytyqi, në prani të mbrojtëses së tij avokates Edona Sina, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për vjedhjes e veturës,  me arsyetimin se ai vetëm e kishte dërguar Besian Ramën tek Naser Hoti për t`ia shitur veturën.

Ndërsa i akuzuari Besian Rama me mborjtësin e tij Masar Vula, duke pranuar që kishte vjedhur dhe shitur veturën, tha se këto veprime të vjedhjes i ka kryer vetëm pa Dritonin, i cili nuk e ka ditur që vetura ishte e vjedhur.

Sipas aktakuzës, dy të dyshuarit Dritan dhe Besian në Janar të vitit të kaluar, duke kryer veprën penale të vjedhjes, në parkingun para shtëpisë së të dëmtuarit Emin Duraku, kanë marrë veturën e tipit Golf 2 dhe kanë ikur.

Aktakuza shpjegon, se të njëjtit nga parkingu para shtëpisë së të dëmtuarit Gëzim Marku kanë marrë një veturë po ashtu të tipit të njëjtë Golf 2 dhe të njëjtën ia kanë shitur Naser Hotit, I cili dyshohet të ketë kryer veprën penale blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.

Në sallë të gjykimit ishin të pranishëm edhe të dëmtuarit Gëzim Marku dhe Emin Duraku.