Arkiv - Gjykimi për Vrasje në Skenderaj - FOTO KALLXO - 06.03.2019

I akuzuari për vrasjen e gruas dhe baxhanakut nuk e pranon fajësinë para Gjykatës

Xhevdet Tahiraj, i akuzuar për vrasje të dyfishtë, gruas së tij dhe baxhanakut është deklaruar i pafajshëm para gjykatës për akuzat që i vihen në barrë nga Prokuroria.

Tahiraj sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë akuzohet se në dhjetor të vitit 2017 në fshatin Runik të Skenderajt kishte privuar nga jeta D.S. I akuzuari Xhevdet Tahiraj me tashmë të vrarin D.S. kishin qenë në marrëdhënie familjare, e kishte pasur baxhanak.

Xhevdet Tahiraj sipas aktakuzës e kishte vrarë D. S. pasi që kishte parë disa video-incizime ku shihej gruaja e tij duke kryer aktin seksual me tashmë të vrarin në shtëpinë e të njëjtit thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës pas kësaj Xhevdet Tahiraj kishte shkuar te shtëpia ishte pajisur me pushkë gjysmë automaktike dhe e kishte thirrë në telefon tashmë të vrarin D. S., duke i thënë se dëshironte ta takonte në fshatin Runik në lagjen “Sejdijaj”.

I ndjeri D.S. dhe gruaja e tij F.D. kishin dalë para dyerve të shtepisë për ta pritë të akuzuarin Xhevdet Tahirajn, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë derisa i akuzuari ishte duke vozitur nga vetura kishte shtënë të paktën gjashtë herë në drejtim të tani të vrarit dhe gruas së tij, të cilët kishin marr plagë të shumta.

Pas kësaj me 25 janar 2018, D.S. kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Me këtë Xhevdet Tahiraj akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Ndërsa gruaja e D.S. e cila është motra e gruas së tani të akuzuarit Xhevdet Tahiraj, kishte qenë në gjendje kome, por pas trajtimit në QKUK kishte arritur që t’u mbijetonte plagëve të marra atë ditë.

Pas vrasjes se D.S. dhe plagosjes së F.S. i akuzuari kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Radishevë të Skenderajit dhe kishte privuar nga jeta gruan e tij.

I akuzuari në shtëpinë e tij sipas dosjes së Prokurorisë kishte marr nga dhoma e ndejës gruan e tij, tani të ndjerën F.S., kishte dalë në oborr dhe kishte shtënë në drejtim të saj të paktën katër herë. E njëjta kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Po ashtu Xhevdet Tahiraj akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar i armëve.

Me rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar i pandehuri që nga prokuroria po akuzohet për katër vepra penale, ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për tri prej tyre, ndërsa e ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes.

Por as kjo e fundit nuk u aprovua nga ana e gjykatësit të rastit Radoslav Markoviq.

Meqenëse i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Markoviq ka njoftuar palët se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet ndërsa në afatin e caktuar ligjor mund të paraqesin kundërshtimet e tyre.