Arkiv - Gjykimi ndaj Leonis Frangut - 08.01.2019 - FOTO KALLXO

I akuzuari për terrorizëm shpallet i pafajshëm për të dytën herë

Gjykata Themelore në Prishtinë për herë të dytë e ka shpallur të pafajshëm Leonis Frangun, i cili akuzohej për bashkim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Sipas trupit gjykues në përbërje të gjyqtareve Beqir Kalludra, Shashivar Hoti dhe Shadije Gërguri, me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale.

“I akuzuari Leonis Frangu lirohet nga akuza për veprën organizimi dhe pjesëmarrja ne grupe terroriste. Shkuarja e tij në Siri ka qenë e pa kontestueshme, mirëpo me asnjë provë nuk është vërtetuar se ka qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist dhe se Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë e cila për së afërmi do ta dokumentonte pjesëmarrjen e tij në grupe terroriste”, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe vitin e kaluar e kishte liruar Frangun nga akuza me arsyetimin se nuk ishte provuar fajësia e tij, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në Rigjykim.

Prokuroria Speciale ngarkonte Frangun për pjesëmarrje dhe organizim në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës, pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën më 3 nëntor të vitit 2014 përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë fluturuar në aeroportin e Stambollit në Turqi ku nga Stambolli janë shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në qytetin po ashtu të Turqisë afër me kufirin me Sirinë ku i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Raportimet për këtë rast mund ti gjeni në këtë link.