Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për terrorizëm: Në Siri shkova për çështje humanitare

Rinor Dizdari, i akuzuar për pjesëmarrje në grupet terroriste “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham” në Siri, doli para Gjykatës në Prishtinë dhe deklaroi se ndihet i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Në shqyrtimin fillestar, Rinor Dizdari deklaroi se nuk kishte për qëllim të shkonte në konflikt, por se në Siri do të shkonte për qëllime humanitare.

“Qëllimi paraprakisht ka qenë për ndihmë humanitare, qëllimi im nuk ka qenë t’i bashkohem ndonjë konflikti të armatosur”, deklaroi i akuzuari.

Rinor Dizdari gjithashtu deklaroi se ishte konsultuar paraprakisht me mbrojtësin e tij sipas detyrës zyrtare, avokatin Nasuf Hasani.

Sipas avokatit Nasuf Hasani, nuk janë përmbushur elementet e veprës penale sepse i akuzuari nuk ka qenë fare në Siri.

Ndryshe nga deklarimi i të akuzuarit në këtë seancë, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Rinor Dizdari, në deklaratat e dhëna në Prokurori, e kishte pranuar se ndihet fajtor për veprën e kryer, por se ishte penduar për veprimet që kishte ndërmarrë.

“Në fund i pandehuri në prezencën e mbrojtësit të tij ka deklaruar se jam i vetëdijshëm se për çfarë vepre penale jam në hetime, e ndiej veten fajtor, jam penduar për veprimet që i kam ndërmarrë po nuk do ta përsëris më këtë vepër penale”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Rinor Dizdari kishte planifikuar të udhëtonte në Siri dhe t’i bashkohej dy grupeve që veprojnë në Siri.

“Me vetëdëshirë ka dashtë të shkojë në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatave të quajtura “Ahrar-al-Sham” dhe “Tahrir al-Sham”, të cilat veprojnë në Siri dhe kanë themeluar në Siri ushtritë e veta dhe se qëllimi i tij (Rinor Dizdarit) ka qenë që të takohet edhe me dy persona, Egzon Iseni dhe Rone Eminin, të cilët në atë kohë gjendeshin në luftën e Sirisë”, thuhet në aktakuzë.