Gjykimi per terrorizem - 11.04.2019

I akuzuari për terrorizëm kundërshton gjykatësin: Avokatit mos i thuaj mbrojtësi im, mbrojtës kam vetëm Allahun

Resim Kastrati i akuzuari për terrorizëm, deklaroi se nuk dëshiron që avokati i tij të quhet mbrojtësi i tij, sepse sipas tij “vetëm Allahu është mbrojtës” për të.

“Refuzoj që avokati im të quhet mbrojtësi im, për shkak se mbrojtësi im është vetëm Allahu dhe nuk dëshiroj të quhet si mbrojtës, por t`i referoheni si avokati im”, tha i akuzuari Resim Kastrati.

Ky gjykim po zhvillohet ndaj të akuzuarve Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti, të cilët akuzohen nga Prokuroria për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë.

Gjykatësi Mustafë Tahiri e njoftoi të akuzuarin Kastrati se Gjykata e zbaton kodin e procedurës penale dhe se gjatë shqyrtimi gjyqësor do i  referohet kodit penal, i cili e parasheh avokatin si mbrojtës që i mbron interesat e klientit të tij.

Seanca gjyqësore vazhdoi me shikimin e video-inçizimeve, ku u lëshuan bisedimet që ishin zhvilluar në vendet publike dhe private në mes të akuzuarve.

Mirëpo, për shkaqe teknike nga inçizimet nuk u dëgjua asgjë, dhe mbrojtësi i të akuzuarës Edona Haliti, avokati Aziz Rexha tha se e kundërshton këtë mënyrë të dëgjimit të CD-ve, me ç ‘rast u pajtuan edhe mbrojtësit e tjerë.

Avokati Rexha pati edhe një propozimin për trupin gjykues, ku kërkoi që këto bisedime të dëgjohen në seanca të mbyllur ose të përjashtohet publiku, me arsyetimin se në këto CD ka biseda intime në mes klientes së tij Edona Haliti dhe të akuzuarit Gramos Shabani, pasi të dy të akuzuarit janë bashkëshortë dhe sipas tij duhet të ruhet familja e tyre.

Kurse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustafë Tahiri lidhur me mendimin e avokatit Rexha, deklaroi se CD-ja është mbi një orë e gjatë, dhe sipas tij në këtë bisedë ka edhe biseda që nuk janë relevante për këtë çështje penale dhe nga prokurori Afrim Shefkiu kërkoi që të gjitha këto CD të barten në një CD të vetme si dhe të shkëputen vetëm ato biseda me audio dhe video që kanë përmbajtje inkriminuese për të pandehurit ndërsa t`i hiqen pjesët e tjera të bisedave.

Gjykatësi Tahiri njoftoi se Gjykata ka pranuar një kërkesë nga mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ademaj, avokati Hazir Hamza, i cili ka kërkuar që t`i ndërpritet masa e paraburgimit të akuzuarit Ademaj.

Mirëpo këtë kërkesë gjykatësi Tahiri e ka refuzuar me arsyetim se ende nuk kanë pushuar kushtet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Ademaj.

Gjithashtu gjykatësi Tahiri e ka refuzuar edhe propozimin e avokatit Besnik Jakupi, i cili në seancën e kaluar kishte kërkuar që të bëhet një ekzaminim psikiatrik ndaj të akuzuarit Bujar Behrami.

Sipas gjykatësit Tahiri gjendja shëndetësore e të akuzuarit Behrami është stabile dhe nuk është gjetur se i njëjti ka shenja të çrregullimit.

I akuzuari Bujar Behrami e kundërshtoi propozimin e avokatit të tij, ku shtoi se nuk ka nevojë të bëhet një ekzaminim i tillë.

“Nuk e përkrah propozimin që ndaj meje të urdhërohet ekzaminim psikiatrik, pasi që unë jam mirë me shëndet”, tha i akuzuari Behrami.

Seanca e radhës u caktua të mbahet nesër me datë 12 prill, ku do të lëshohen CD-të e bisedave të cilat i kishin zhvilluar të akuzuarit për sulme terroriste.

Planet e grupit për sulme terroriste sipas dosjes së Prokurorisë

Grupi i organizuar sipas Prokurorisë kishte plane të ndërtonte një rrjet terrorist në Kosovë.

Në lidhje me këto plane Prokuroria Speciale po i akuzon këta 6 persona, Bujar Behramin me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati me nofkën Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thekson se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Western Union, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa për kryerjen e sulmeve në Belgjikë dhe Francë, sipas Prokurorisë, ishte angazhuar Gramos Shabani.

Ai, sipas aktakuzës, kishte planifikuar sulm vetëvrasës në Belgjikë e Francë, në vendet e frekuentuara me qytetarë, ndërsa bashkëshortes së tij Edona Halitit i kishte bërë thirrje për sulm vetëvrasës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Financimi i grupit sipas aktakuzës

Prokuroria ka arritur të sigurojë prova se një shumë prej rreth 9 mijë eurosh ishte transferuar në Kosovë për të financuar grupin e dyshuar. Skema e tyre ishte që të përdornin fonde të IS-it për të financuar grupin.

Në dëshminë e tij Behrami thotë se financimin e ka bërë Abu Ahmed përmes personit A4, ndërsa paratë do të dërgoheshin nga ish-vendet sovjetike si Kirgistani, Rusia apo Uzbekistani. Në transaksionet e parave nuk përmendet se grupi kishte arritur të blinte eksploziv apo materiale të rrezikshme të cilat mund të përdoreshin për sulmet.

Plani për sulmin mbi kombëtaren e Izraelit

Behrami në deklaratën e tij ka thënë se e gjitha filloi në shtator apo tetor të vitit 2016, kur përmes rrjetit telegram nga llogaria e tij “Ebu Musab”, ka filluar të bisedoj me A1[1] i cili në atë kohë gjendej në Siri.

“Në atë kohë kemi biseduar për sulme me kallash apo me eksploziv dhe nuk kishim përzgjedhur ende caku, por kam kërkuar nga A1 që të më lidhë me Ridvan Haqifin dhe pasi që jam lidhur me Haqifin bisedat tona kishin të bëjnë me atë se ne u pajtuam se kishte me qenë mirë me i sulm izraelitët në ndeshjen që parashihej të mbahej më vonë atë vit”,  përshkruan aktakuza e Prokurorisë.

Ky sulm sipas Behramit fillimisht ishte planifikuar të kryhej me dron ndaj fansave të Izraelit dhe pastaj të vazhdohej me armë ‘Kallashnikov’.

“Unë këtë ide ja thash Ridvan Haqifit dhe ai më tha se duhet të shikohet mundësia përmes Lavdrimit duke vepruar në drejtim të njerëzve të gatshëm për t’u rekrutuar”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Për realizimin e këtyre planeve, Behrami para prokurorit ka thënë se ia kishte dhënë idenë edhe Lavdrim Muhaxherit.

“Në lidhje me sigurimin e parave për realizimin e sulmeve ndaj tifozëve dhe lojtarëve të Izraelit unë i kam dhënë idenë Lavdrimit, A1-shit, si dhe Ridvan Haqifit të cilët edhe i kanë siguruar paratë nga Abu Ahmed, shef i inteligjencës së ISIS”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë Speciale.

Behrami më tej në deklaratën e tij ka përshkruar edhe strukturën e grupeve që do të duhej të kryenin sulmin.

“Sulmi është dashur të kryhet nga tri grupe, me nga tre apo katër persona. Ndërsa sa i përket personave të cilët kanë pas me kry sulmin unë nuk kam qenë i përfshirë në këtë çështje, por vetëm iu kam dhënë idenë, ndërsa Ridvani, Lavdrimi dhe A1 i kanë siguruar njerëzit dhe paratë për të kryer sulmin”, përshkruhet në aktakuzë deklarata e Bujar Behramit.

Planet për sulme në Kishat Ortodokse

Dëshmitë e Prokurorisë flasin se pas dështimit të grupit për të sulmuar kombëtaren e Izraelit grupi kishte zbuluar caqe të reje.

Kishat ortodokse ishin vënë në shënjestër, ndërsa grupi ishte vënë në kërkim të eksplozivëve të rrezikshëm në tregun shqiptar ku thuhet se ishte takuar edhe me një ish-epror të Ushtrisë Shqiptare.

Komunikimi me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Haqifin sipas Behramit kishte vazhduar deri në vrasjen e tyre në vitin 2017, ndërsa më pas komunikimi kishte vazhduar me personat A2 dhe A3 dhe komunikimi zhvillohej poashtu përmes rrjetit telegram.

“Ideja ime ishte që të bëhej sulm ndaj objekteve të fesë ortodokse për krishtlindjet e tyre. Fillimisht nuk kishte as mjete financiare e as njerëz për të bërë diçka. Unë në lidhje me këtë kam hulumtuar në internet se ku ndodheshin kishat e tyre dhe pastaj kam bërë hulumtime për helm të fortë e eksplozivë”, përshkruhet deklarata e Behramit në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Hulumtimet sipas Behramit ishin bërë përmes Wkipedia-s dhe Google ku ishin gjetur informacione në lidhje me eksplozivët.

“Më shumë kam bërë hulumtime në Wikipedia dhe Google ku gjetjet në lidhje me eksplozivët TNT, C4, RDX , TATP dhe helmet si Sarin, Tabun, Somat dhe Clorin ia kam përcjellur A2 dhe A3. Në lidhje me këtë A3 ka shkuar në Shqipëri për të gjetur eksploziv dhe materie helmuese”, përshkruhet deklarata e Behramit.

A2 i cili kishte shkuar në Shqipëri, sipas Behramit kishte gjetur eksplozivë që kushtonte deri në 1 mijë euro kilogrami, ndërsa e kishte pasur më të vështirë për të gjetur helme edhe pse për këtë ishte takuar me një ushtarak të lartë në Shqipëri.

Përveç materialeve, Behrami tha se ka kërkuar nga A2 që të siguroj persona të gatshëm për vetëflijim duke vendosur jelekë vetëvrasës. Ndërsa për të gjetur personat A2 kishte shkuar në Mitrovicë, Gjilan dhe Shqipëri, ndërsa pasi kishin pasur vështirësi në gjetjen e njerëzve, kishin edhe një ide interesante.

“Në lidhje me kryerjen e sulmeve, unë dhe A2 kemi planifikuar që t’i përfshijmë personat që ishin të dënuar dhe që ishin në pritje të përfundimit të vuajtjes së dënimit për terrorizëm. Plani për festën e pashkëve ka qenë i ngjashëm me atë të krishtlindjeve dhe sulmet parashiheshin të ndodhnin në Graçanicë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Si duket edhe ky plan kishte dështuar në mungesë të njerëzve dhe si rrjedhojë plani ishte shtyrë për një festë tjetër serbe.

“Ideja për shtyrjen e sulmeve për ‘Vidovdan’ ka qenë e imja e A2 dhe Abu Ahmed, ndërsa unë gjatë asaj kohe kam filluar të tërhiqem nga ideja sepse Abu Ahmed ka kërkuar nga unë që sulmi të ketë përmasa të ngjashme me trazirat e marsit 2004. Ndërsa unë kam kërkuar që sulmi të jetë me përmasa të vogla”, citohet deklarata e Behramit në aktakuzë.

Bujar Behrami me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati me nofkën Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti janë pjesë e aktakuzës  për terrorizëm.

Aktakuza  pretendon se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati nga dhjetori  i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Madje, sipas aktakuzës, Bujar Behrami ka tentuar të krijoj grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, e që ky grup do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Si lokacione të përzgjedhura për t’u sulmuar, sipas aktakuzës, ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Për kryerjen e këtyre sulmeve, roli për furnizim me armë sipas aktakuzës i përkiste të akuzuarit Resim Kastrati i cili duhej të gjente armë zjarri dhe materie plasëse por edhe të gjente persona për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

Për realizimin e këtyre planeve Prokuroria pretendon se i akuzuari Bujar Behrami ka pranuar gjithsej 9 mijë euro nga një person nga Gjermania me iniciale M.M. me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit dhe eksplozivëve.

Për dallim nga dy të akuzuarit e parë, i akuzuari i tretë Gramoz Shabani sipas aktakuzës kishte cak Belgjikën dhe Francën ku synonte kryerjen e sulmeve terroriste në vende të frekuentuara me qytetarë. Shabani sipas aktakuzës mban edhe shtetësinë belge.

Duke vepruar sipas udhëzimeve të akuzuarit Gramoz Shabani, e akuzuara Edona Haliti sipas aktakuzës gjatë muajit maj dhe deri më 2 qershor 2018 është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se nga muaji dhjetor 2017 e deri më 29 qershor 2018 edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Rasim Kastrari janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.