Gjykimi ndaj të akuzuarve per planifikimin e sulmeve terroriste - FOTO KALLXO

I akuzuari për terrorizëm i këndonte gruas ‘Niset trimi për xhenet’

Në gjykimin për terrorizëm ndaj gjashtë personave të cilët po akuzohen se kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë u dëgjuan video incizimet e propozuara nga Prokuroria Speciale.

Në këto incizime dëgjohej tek i akuzuari Gramos Shabani i këndonte bashkëshortes së tij Edona Halitit këngën “Niset Trimi për Xhenet”.

“Niset trimi për Xhenet përshëndetet gruan e vet, përfaron moj gruan e vet se e donë shume, Allahu na e mundësoftë”, i kishte kënduar i akuzuari Shabani të akuzuarës Edona Haliti.

Tutje në bisedat e siguruara nga Prokuroria Speciale përmes masave të fshehta hetimore, dëgjohej i akuzuari Gramos Shabani tek i kërkonte gruas së tij që të vdesë si myslimane.

“Ti duhesh me vdek myslimane, Allahu na bashkon toni, mos hup kohë pa lidhje t`u këqyr seriale po ulu mendo mirë, me i gra kerrit edhe me shku me eksploziv po s’di a mujm me bo. Mos t`dhimet jeta se ja vlen për Allahun me sakrifiku, mos t`dhimet”, i thoshte i akuzuari Shabani bashkëshortes së tij.

Këto incizime i kundërshtuan të gjithë avokatët.

Së pari avokati Visar Vehapi, i cili në ketë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Gramos Shabani, deklaroi se këto incizime nuk kanë përmbajtje inkriminuese.

“Biseda nuk ka përmbajte inkriminuese, por ka përmbajtje intime, kënga lidhet me këngën e Sinan Vllasaliut “niset trimi për gurbet”. E prokuroi pas kësaj kënge pretendon se ky është nisur për Belgjikë për të kryer sulme”, tha Avokati.

Edhe mbrojtësi i Edona Halitit, avokati Aziz Rexha i kundërshtoi këto përgjime duke thënë se nuk ka asgjë inkriminuese në to.

Poashtu në njërën nga incizimet i pandehuri Gramos Shabani dëgjohej tek i thoshte gruas së tij që vepra më e mirë që do mund të bënte është të shkonte me eksploziv tek KFOR-i.

“Vepra ma e mirë që mundesh me bo, me vesh ni rryp me eksploziv e me ju shku me ja u lshu KFOR-it, toni veç e dhezi bim , edhe i vranë, e ishalla Allahu na e mundëson, qekjo është vepra ma e mirë, s`ka vepër ma të mirë”, dëgjohej Shabani në përgjime.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Gramos Shabani ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës, ndërsa bashkëshortja e tij Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Bashkë me dy bashkëshortet po akuzohen edhe Bujar Behramin me nofkën ‘Ebu Musab El –Albani’, Resim Kastrati me nofkën ‘Pc Habibi’, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Sipas Prokurorisë ky grup i përbëre prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në Kishën Ortodokse në Mitrovicën veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet edhe synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thotë se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Ëestern Union”, thuhet në aktakuzë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se dhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Rasim Kastrati janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Të gjitha raportimet në lidhje me ketë rast mund ti gjeni në këtë link.