Ilustrim

I akuzuari për përvetësimin e mbi 71 mijë eurove të PTK-së nuk paraqitet në gjykatë

Dibran Fetahu i akuzuar për veprën penale përvetësim në detyrë, nuk u paraqit në Gjykatën e Mitrovicës edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Në Gjykatë ishte i pranishëm mbrojtësi i të akuzuarit avokati Vehbi Beqiri, i cili njoftoi së i pandehuri Dibran Fetahu gjendej në Gjermani për shkak se e kishte një fëmijë me probleme shëndetësore.

Avokati Beqiri ka sqaruar se ftesën për të pandehurin e kishte pranuar dikush nga familja e të pandehurit. Sipas avokatit i pandehuri Dibran Fetahu ishte i gatshëm që në çdo kohë të marr pjesë në seancë dhe se ai vetë si mbrojtës nën këto kushte do ta pranonte ftesën për të mbrojturin e tij si dhe ta njoftonte për seancën.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Dibran Fetahun se në janar të vitit 2014 në ndërtesën e PTK-së, përkatësisht në zyrën e arkës ndihmëse, në cilësinë e arkëtarit ndihmës kishte përvetësuar pasurinë që iu është besuar sipas detyrës.

Sipas akuzës ai këtë e kishte bëre duke mos i deklaruar në mënyre të vazhdueshme shitjet ditore të kartelave grithëse nga ana e sportelisteve, ashtu që të njëjtat nuk i ka deklaruar në tërësi gjegjësisht përmes librit të shitjes ka bërë nëndeklarimin e shitjes, me ç’rast ka përvetësuar shumën prej 71.875,52 euro.

Me këtë Fetahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as prokurori i rastit Njazi Rexha, i cili paraprakisht e kishte njoftuar Gjykatën se është në vizitë zyrtare jashtë vendit.

Nën këto rrethana gjyqtari i rastit Burim Ademi njoftoi që seancat gjyqësore të caktuara të mbahen sot dhe nesër në Gjykatën e Mitrovicës janë shtyer për një datë tjetër.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datën 24 dhjetor, ndërsa ky komunikim i shërben si ftes e rregullt mbrojtësit të të pandehurit avokatit Vehbi Beqiri, përfaqësuesit të të dëmtuarës në këtë rast Postës Salih Morina, dhe dëshmitares Sezana Kavaja.

Këta të fundit ishin të pranishëm në seancë.