I akuzuari për korrupsion deklarohet i pafajshëm, parashkruhet vepra për katër të akuzuarit tjerë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt shqyrtimi fillestar për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndaj Xhevat  Lajqit, i cili nga Prokuroria akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Doganën e Kosovës, me qëllim të dobisë pasurore nuk ka bërë kontrollimin detal të mallit të importuar nga kompania “Xoni”.

Lidhur me akuzën e cila i vihet në barrë nga Prokuroria i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

“Jam i pa fajshëm”, tha shkurt i akuzuari Xhevat Lajqi.

Në këtë shqyrtim fillestar të akuzuar ishin edhe Real Rama, Naman Pacolli, Mustaf Desku dhe Shukrie Muqolli, të cilët sipas Prokurorisë akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare por ndaj të njëjtëve ka pushuar ndjekja penale për shkak se ka arritur parashkrimi absolut.

Gjyqtarja Suzana Çerkini në këtë proces theksoi se nga koha e ngritjes së aktakuzës e deri më sot bazuar në shkresat e lëndës është konstatuar se Gjykata nuk ka zhvilluar asnjë seancë gjyqësore në këtë çështje penale.

Real Rama dhe Naman Pacolli akuzoheshin për veprën penale shmangien doganore me rastin e importimit të mallrave.

Ndërsa Xhevat Lajqi dhe dy të tjerët Shukrie Muqolli dhe  Mustaf Desku, ndaj të cilëve ka pushuar ndjekja penale për shkak të parashkrimit, akuzoheshin për veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoriteti zyrtar.

Në këtë rast i akuzuar ka mbetur vetëm Xhevat Lajqi pasi gjatë shqyrtimit fillestarë u konstatua se i njëjti dyshohet për ripërtëritje të veprës penale nga e cila u liruan katër të akuzuarit tjerë. Lajqi akuzohet se me 01.03.2016 ka kryer vepër penale po ashtu keqpërdorim i detyrës, apo autoriteti zyrtar.

Sipas Prokurorisë Real Rama dhe Naman Pacolli, akuzoheshin se me datë 16.07.2010 në degën doganore në Miradi, KK, Fushë Kosovë, me qëllim të përfitimit  të dobisë pasurore, kanë tentuar të bëjnë shmangien doganore me rastin e importimit të mallrave nga Kina, dhe pas kontrollimit nga ekipi I FAST- it, malli ishte gjetur i pa deklaruar, me çka prokurori pretendonte se do të dëmtohej buxheti i Republikës së Kosovës në shumë prej 30.452.18 euro.

Ndërsa Xhevat Lajqi, Mustafë Desku dhe Shukrije Murati po në të njëjtin vend kohë dhe datë, në cilësinë e personave zyrtarë në Doganën e Kosovës, akuzoheshin se me qëllim të dobisë pasurore nuk kanë bërë kontrollimin detal të mallit të importuesit “Xoni”  dhe gjatë kontrollit nga ana e FAST- it, është vërtetuar se në atë kontejner ka pasur mall të pa deklaruar në vlerë prej 110.334.00 euro. Lidhur me këtë Prokuroria pretendon se do të dëmtohej buxheti i Republikës së Kosovës në shumë prej 30.452.18 euro.