Gjykimi per Kanosje - Gjakove - FOTO KALLXO.com

I akuzuari për kanosje deklarohet i pafajshëm para Gjykatës

Shqiprim Bobi, i akuzuar për kanosje u deklarua i pafajshëm në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

Aktakuza e Prokurorisë, e ngarkon Shqiprim Bobin për veprën penale të kanosjes të konsumuar gjatë Shtatorit të vitit 2017.

Përfaqësuesi i aktakuzës, prokurori Enis Gashi tha se Bobi me qëllim të frikësimit, ka kanosur të dëmtuarin Shkëlzen Gashi.

“Pas një mosmarrëveshje paraprake, i pandehuri Shqiprim Bobi shkon tek i dëmtuari në vendin e punës së tij dhe i drejtohet me fjalët: Ki me pa se kush jam unë, kam me të vra dhe tenton ta godas”, tha prokurori Enis Gashi.

Në aktakuzë thuhet se me këto veprime Bobi, i ka shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Shkëlzen Gashi.

Pas leximit të aktakuzës, i pyetur nga gjyqtari Mentor Bajraktari lidhur me fajësinë, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

“Nuk është e vërtetë që e kam kanosur Shkëlzenin, atë ditë vetëm kemi biseduar në telefon”, tha i akuzuari Bobi.

Ndërsa gjyqtari Mentor Bajraktari, e caktoi shqyrtimin gjyqësor duke theksuar se atëherë do të dëgjohet si dëshmitar, i dëmtuari Shkëlzen Bobi.