Arkiv Revole e konfiskuar nga Policia e rajonit të Prishtinës - Foto: PK

I akuzuari për armëmbajtje Durim Jetishi në Zvicër, dështon seanca ndaj tij

Seanca gjyqësore kundër të akuzuarit për armëmbajtje pa leje Durim Jetishi ka dështuar, për shkak të mosprezencës së të akuzuarit.

Ndaj të akuzuarit gjykata kishte lëshuar urdhrin që të sillej me forcë në gjykatë nga ana e Policisë, kjo nuk ishte e mundur pasi që i akuzuari siç u konstatua në seancë ndodhet jashtë shtetit, në Zvicër.

Prokurori i shtetit Armend Zenelaj, tha se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor dhe i propozoi gjykatës që i njëjti të shtyhet për një datë të pacaktuar.

I njëjti do të jetë prezent pas dy muajve në Kosovë dhe do t`i përgjigjet ftesave të gjykatës, ka konfirmuar një familjar i tij.

Duke mos pasur kushte për mbajtjen e gjykimit, gjyqtarja Ilirjana Hoti vendoi që seanca të shtyhet për muajin Shtator.

Prokuroria pretendon se i akuzuari ka mbajtur në pronësi armë, në kundërshtim me Ligjin për Armë, të cilat karakterizohen si armë zjarri të ndaluara.

Poashtu në aktakuzë theksohet se gjatë një kontrolli nga ana e zyrtarëve policor, të pandehurit i është gjetur arma në brez dhe e njëjta është konfiskuar nga ana e zyrtarëve policorë.

Me këto veprime, i akuzuari Durim Jetishi dyshohet se ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, të paraparë me nenin 374 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.