I akuzuari nuk sillet në Gjykatë, dështon seanca pë grabitje

Në gjykimin për grabitje ndaj të akuzuarit Albian Imeri, sot ishte e planifikuar që të mbahej seanca ku do të prezantohej marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, mirëpo e njëjta seancë dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit.

Si pasojë e mosprezencës së të akuzuarit në seancë, ishte mos sjellja e tij nga organet policore ku dyshohet të jetë bërë një lëshim teknik nga ana e organeve shtetërore.

Njësiti i Transportit të të burgosurve, e kishte informuar gjykatën se të njëjtit nuk kanë pranuar ndonjë urdhërese për sjelljen e të akuzuarit në gjykatë.

Prokurori Agron Matjani, tha se i akuzuari Albian Imeri ka të ngritura dy aktakuza për vepra të ngjashme dhe për këtë arsye i propozoj gjykatës që të zhvillohet një procedurë unike për këto dy lëndë.

Duke e aprovuar propozimin e prokurorit të shtetit, gjyqtari Shaqir Zika seancën e sotme e shtyu për datën 26 nëntor.

Në sallë ishin të pranishëm të dëmtuarit Blerim Vula dhe Getonis Morina, të cilët deklaruan se nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe se nuk kërkojnë kompensim të dëmit, ndërsa nuk ishin prezent të dëmtuarit Sylë Sylmetaj dhe Ramë Shehu.

Albian Imeri, i akuzuar për grabitje në seancën e kaluar përmes avokatit të tij Regjep Gjikolli, kishte kërkuar nga gjykata që të ketë negociata për pranim të fajësisë.

 

Gjakovë – Albian Imeri, i akuzuar për grabitje kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë

 

Bazuar në aktakuzë, Albian Imeri bashkë me tani të dënuarit Mërgim Prushi, Ardenis Kameri dhe Kolë Ndreca, dyshohet se kanë kryer veprën penale të vjedhjes në tentativë.

Sipas aktakuzës në tetor të vitit 2015, me qëllim të grabitjes duke hyrë të maskuar në dyqanin “Euro Eko”, pronë e Sylë Sylmetaj, i pandehuri Albian Imeri duke përdorur sprejin i ishte drejtuar të dëmtuarit Sylmetaj me fjalët “qiti paret”, ndërsa i dëmtuari pas disa lëvizjeve i kishte hedhur disa pako të cigareve dhe i akuzuari Albian Imeri ishte larguar nga dyqani.

Aktakuza shpjegon se po atë ditë, i pandehuri Albian Imeri me tani tre të dënuarit, kishin hyrë edhe në marketin “Landi Star3”, pronë e Ramë Shehu, dhe duke përdorur veprimet e njëjta kishin arritur t’i marrin 500 euro dhe më pas ishin larguar.

Ndërsa aktakuza e dytë ndaj Albian Imerit, thotë se ai bashkë me G.M. dhe A.K. kanë hyrë në marketin “Meridian Express” dhe kanë marrë 500 euro.