FOTO KALLXO

I akuzuari në spital, vëllai paraqitet në Gjykatë

Gjykimi ndaj Blerim Baftiut, të akuzuarit për trafikim me migrantë u shty për shkak se ky i fundit nuk u paraqit në gjykatë.

Të pranishëm në Gjykatë ishin dëshmitaret Naim Baftiu, Flamur Baftiu e Shaban Bytyqi.

Prej dëshmitareve të pranishëm, ishte edhe Naim Baftiu, vëllai i të akuzuarit Blerim Baftiu, i cili e arsyetoi mungesën e të vëllait.

Ai e njoftoi Gjykatën se i akuzuari Blerim Baftiu është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe se i njëjti është i shtrirë në spital, prandaj nuk është paraqitur sot në Gjykatë.

“Përmes emergjencës e kanë dërguar në Tiranë, sipas informacioneve të fundit që unë kam ai me siguri do të dërgohet në Francë për trajtim të mëtutjeshëm”, tha ai.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica, mori aktvendim që seanca që ishte caktuar që të mbahej ditën e sotme të shtyhet për datën 13 nëntor, ku njëherit e obligoi vëllanë e të akuzuarit që para kësaj date, Gjykatës të i dorëzoj dëshminë që vërteton se i akuzuari Blerim Baftiu është i shtrirë në spital.

Prokuroria po e akuzon Blerim Baftiun për shkak se gjatë masave të përgjimit i pandehuri është marrë me kontrabandë me migrantë me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, i akuzuari Baftiu dyshohet se është marrë me falsifikimin e dokumenteve.

Po ashtu sipas prokurorisë në telefonin e të akuzuarit janë gjetur foto duke gjuajtur në qiellin e hapur i cili shihet qartë në video incizim duke gjuajtur me kallash. Me këto veprime prokuroria pretendon se i akuzuari ka kryer edhe veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

Shkrimet mund t’i gjeni në këtë link.

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-trafikim-me-migrante-nuk-e-pranon-fajesine/

 

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’