Gjykimi për lëndim të rëndë trupor – Foto: KALLXO.com

I akuzuari me tension të lartë të gjakut, shtyhet gjykimi

Gjykata e Gjilanit e ka pranuar kërkesën e të akuzuarit për shtyrje të seancës për shkak se nuk ndihej mirë me shëndet.

Mika Trajkoviq nga Shillova po gjykohet për veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Sipas aktakuzës, ai e ka goditur disa herë Novica Trajkoviqin me një shkop dhe ia ka thyer gishtin e dorës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Ismajli, i akuzuari deklaroi se e ka kuptuar në tërësi aktakuzën dhe se për veprën penale për të cilën ngarkohet nuk e pranon fajësinë.

Më tej, gjatë shqyrtimit gjyqësor i pandehuri i propozoi Gjykatës që kjo seancë të shtyhet për arsye të problemeve shëndetësore.

“Nuk jam në gjendje ta vazhdoj këtë seancë sepse kam problem shëndetësore, me tension të lartë të gjakut dhe i propozoj Gjykatës që ta shtyjë këtë gjykim”, tha i pandehuri Mika Trajkoviq.

Ndaj këtij propozimi nuk pati kundërshtime nga prokurori, i cili megjithatë propozoi që i pandehuri në seancën e radhës të sjellë dëshmi për gjendjen e tij shëndetësore.

Po ashtu, prokurori Ismajli propozoi të ftohet për dëshmuar dëshmitari N. Trajkoviq.

Kundërshtime ndaj këtyre propozimeve nuk pati as avokati mbrojtës i të akuzuarit, Shemsedin Piraj.

Pas këtyre konstatimeve, trupi gjykues në përbërje të Naser Maliqit kryetar dhe Islam Thaqi e Sahit Borovci anëtarë, mori aktvendim me të cilën aprovoi propozimet e lartcekura të  prokurorit si dhe  vendosi që seanca e radhës të mbahet më 26 nëntor.

Sipas aktakuzës, Mika Trajkoviq akuzohet se më 11 mars 2018 rreth orës 23:00 në fshatin Shillovë, pas një mosmarrëveshjeje i ka shkaktuar lëndime trupore personit Novica Trajkoviq, në atë mënyrë që me mjetë të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore – me një shkop druri, e ka goditur disa herë në dorë duke ia thyer gishtin e dorës ashtu që i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.