Gjykimi për vjedhje të rëndë – Foto: KALLXO.com

I akuzuari: Kam konsumuar narkotik, nuk kam mundur t’i parashikoj veprimet e tjetrit

I akuzuar për veprën penale të vjedhjes së rëndë, Kreshnik Baraku u deklarua i pafajshëm në Gjykatën e Gjakovës.

Prokuroria po e akuzon Barakun për veprimet e vjedhjes së rëndë, me të cilat është dëmtuar Edmond Furra.

Sipas Prokurorisë së Gjakovës, dy persona, njëri tashmë i ndjerë (I.L.) dhe tjetri – i akuzuari Kreshnik Baraku, në vitin 2013 kishin hyrë në një objekt të banesës me qëllim që të vidhnin.

Në aktakuzë thuhet se përmes një dritareje të korridorit të banesës, i ndjeri I.L. kishte hyrë brenda në banesën e të dëmtuarit Edmond Furra, ka marrë një kuti me dy çelësa të veturës dhe 4 pasaporta, raporton www.kallxo.com.

Gjatë kësaj kohe i akuzuari Kreshnik, e ka ndihmuar tani të ndjerin në kryerjen e veprës penale të vjedhjes së rëndë, duke kontribuar me pritjen e tij në veturë, thuhet në aktakuzë.

Ndërkaq në gjykimin e sotëm, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Enis Gashi, i akuzuari Kreshnik Baraku në prani të mbrojtësit të tij avokatit Ergjyment Barballushi, tha se nuk e pranon fajësinë për akuzën që i ngarkohet.

“Është e vërtetë që unë kam qëndruar në veturë, mirëpo në atë kohë kam konsumuar narkotik dhe nuk e kam ditur se çfarë veprime do të ndërmerr tani i ndjeri I.L.”, tha i akuzuari, raporton kallxo.com.

Ndërsa gjyqtari i rastit, Mentor Bajraktari, e caktoi shqyrtimin e dytë për në muajin nëntor, ku mbrojtja e të akuzuarit ka të drejtë në paraqitjen e kundërshtimeve rreth aktakuzës.