Gjykimi për stentat | Foto: KALLXO.com
I Akuzuari i 'Stentave' Kandidat Për Akademik
Gani Bajraktari, ish-drejtori i Klinikës së Kardiologjisë njëherësh edhe njëri nga mjekët e përfshirë në rastin “Stenta” është njëri nga 50 kandidatët për anëtarë të rinj të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Bajraktari është pjesë e një procesi gjyqësor dhe në korrik të këtij viti Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës vendosi masën e largimit të përkohshëm të tij nga pozita menaxheriale pasi priti që ai ta paraqesë dorëheqjen, një gjë që Bajraktari nuk e bëri.
Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Bajraktari në bashkëpunim me disa mjekë të tjerë kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se që nga data 01 janar 2011 deri më datën 31 dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje si persona zyrtarë në pozitën e mjekëve në SHSKUK Prishtinë kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar pacientëve letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore,” thuhet në aktakuzë.
I kontaktuar nga KALLXO.com Bajraktari nuk u deklarua nëse ky proces mund të jetë pengesë për përzgjedhjen e tij në Akademi.
“Neni 31, pika 5 e Kushtetutës së Kosovës më garanton trajtimin e barabartë me të gjithë kandidatët e tjerë,” tha ai.
Kjo pikë e këtij neni thotë se çdokush i akuzuar për vepër penale prezumohet të jetë i pafajshëm, derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj në pajtim me ligjin.
I pyetur se a pritet të zgjidhet, Bajraktari nuk dha ndonjë përgjigje konkrete.
“Besoj në kriteret dhe profesionalizmin e përzgjedhësve,” tha ai.
Ndryshe, më 10 dhjetor 2014, prokurori i Prokurorisë Speciale, Besim Kelmendi, kishte kërkuar paraburgim ndaj nëntë mjekëve të dyshuar.
Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-ministri Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani dhe ish-drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi.
Asokohe, KALLXO.com kishte publikuar SMS-të e mjekësve të dyshuar në të cilat shihej se si bëhej pazar me pacientë me probleme me zemër, duke i referuar nga QKUK-ja për në spitale private.
Dosjen e shkrimeve të rastit “Stenta” në KALLXO.com mund ta lexoni këtu.