I akuzuari e pranon se ka kryer vrasjen

I akuzuari Tasim Zhuniqi e ka pranuar në Gjykatën e Gjakovës se ai e ka vrarë Nuredin Kastratin.

Zhuniqi kërkoi drejtësi nga Gjykata e njëkohësisht shprehu pendesë e keqardhje.

“Sa i përket deklarimit tim, unë e kam pranuar vrasjen, e kam bërë vrasjen e s’kam çka të deklaroj”, tha ai në seancën ku dha mbrojtjen e tij.

“Do të mbrohem në heshtje, kam dhënë deklaratën në Prokurori dhe mbetëm pranë asaj”, shtoi i akuzuari.

Ndërsa mbrojtësja e tij, avokatja Myrvete Qollaku, tha se i duhet ta respektojë qëndrimin e klientit të saj.

Pranë trupit gjykues të përbërë nga kryetari Nikollë Komani dhe anëtarët Ilirjana Hoti dhe Besarta Doli, dha mbrojtjen e tij edhe i akuzuari tjetër Nasip Zhuniqi.

Ai tha se qëndron pranë deklarimeve të tij në Polici dhe Prokurori.

“Unë kam pasur revole në dorë tek pompa e benzinës dhe pasi kam parë që axhën tim Tasimin e kanë kapur për gjoksi Nuredin e Blerim Kastrati atëherë kam shtënë një herë, pastaj s’di nëse revolen e kam pasur me vete kur jam kthyer në shtëpi apo e kam lënë në zyrë”, tha ai.

“Kur kam qenë në afërsi të hotel ‘Apollo’, kam shkuar me veturën Mercedes ku kam pasur edhe pushkën automatike dhe në vendin e ngjarjes i kam bërë dy gjuajtje njërën në ajër dhe herën e dytë tek automjeti Opel Zafira, ku kanë qenë duke u fjalosur ata”, tha Nasip Zhuniqi.

I akuzuari Nasip tha se axha i tij Tasimi ia kishte marrë pushkën automatike.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Nikollë Komani se çfarë keni për të thënë për deklaratën e axhës tuaj Tasim, i cili ka thënë se “pas aksidentit kishte dalë nga automjeti, dy persona i kishin ardhur afër dhe njëri kishte qenë me Kallash dhe se më duket që pushkën e kam marrë prej të ndjerit Nuredin dhe me atë kam shtënë disa herë”.

Në përgjigjen  e tij i akuzuari Nasip Zhuniqi tha se axha i tij, Tasimi, Kallashnikovin e kishte marrë nga ai, e jo nga i ndjeri Nuredin Kastrati.

Trupi gjykues vendosi që më 13 qershor të jepet fjala përfundimtare.

Përfaqësuesi i aktakuzës, prokurori Ali Uka, dy të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës duke u bazuar në disa mosmarrëveshje të mëhershme që kishin të akuzuarit dhe i ndjeri, ditën kritike me armë Nasip Zhuniqi qëllon disa herë në drejtim të të ndjerit Nuredin Kastrati, i cili rrëzohet në tokë.

Aktakuza shpjegon se pasi që i ndjeri ishte rrëzuar në tokë nga të shtënat e Nasip Zhuniqit, më pas Tasim Zhuniqi ia merr armën nga dora Nasipit dhe disa herë qëllon në trupin e viktimës duke e lënë të vdekur.

https://kallxo.com/vrasja-e-nuredin-kastratit-deshmon-djali-i-te-akuzuarit-tasim-zhunqi/

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë ngjarje.

Prokuroria pretendon se Tasim dhe Nasip Zhuniqi, në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Nuredin Kastrati nga Prizreni.

Para se ky rast të kthehet në rigjykim, Gjykata e Gjakovës me kryetarin e trupit gjykues Shaqir Zika dhe anëtarët Besnik Bislimaj dhe Ilirjana Hoti, kishin shpallur fajtorë të akuzuarit Tasim Zhuniqi dhe e kishte dënuar me 16 vjet burgim,  ndërsa Nasip Zhuniqin me 15 vjet burgim.

Mirëpo avokatja Kosovare Kelmendi, e cila e përfaqëson të akuzuarin Nasip Zhuniqi, kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit rigjykimin e çështjes ose lirimin nga akuza të të mbrojturit të saj, ndërsa avokatja Myrvete Qollaku kishte kërkuar dënim më të butë për të mbrojturin e saj Tasim Zhuniqi.

Lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, Prokuroria në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë, i ka propozuar që çështjen ta kthejë në rigjykim dhe që ndaj të akuzuarve të shqiptojë dënime më të larta.

Propozimit për dënime më të larta iu kishte bashkangjitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj.

Të akuzuarit për veprën penale të armëmbajtjes kishin pranuar fajësinë, e i akuzuari Tasim Zhuniqi kishte pranuar fajësinë edhe për veprën penale të vrasjes, mirëpo ky pranim i fajësisë ishte refuzuar nga ana e Gjykatës.

Pas kësaj, Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim procesin e dy të akuzuarve Tasim dhe Nasip Zhuniqi, për veprën e vrasjes në bashkëkryerje, me arsyetimin se shkalla e parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli rigjykimin e kishte arsyetuar me faktin se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës, sepse në mes të cilësimit të veprës penale nga Prokuroria dhe aktgjykimit të Gjykatës Gjakovës, nuk është e qartë a është fjala për një vepër penale të vrasjes në bashkëkryerje apo për disa vepra penale të ndara e jo në bashkëkryerje.

Tutje, ende pa u mbajtur asnjë seancë e çështjes së kthyer në rigjykim, pala e dëmtuar kishte bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit.

Në këtë rast ku Tasim dhe Nasip Zhuniqi nga fshati Fortesë (Bellacerkë) e Rahovecit, po akuzohen se kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nuredin Kastrati, pas pranimit të një kërkese për përjashtim të gjyqtarit, seanca e parë e  kthyer në rigjykim kishte dështuar të mbahej.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Miftar Qelaj, kishte parashtruar kërkesë për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika, me arsyetimin se gjyqtari Zika ka qenë në presion të palëve në procedurë, pasi që i njëjti ka denoncuar familjarët e të akuzuarve për kanosje.

Ndërsa lidhur me kërkesën për përjashtim të kryetarit të trupit gjykues, mbrojtëset e të akuzuarve avokatet Myrvete Qollaku dhe Kosovare Kelmendi,  lidhur me kërkesën e palës së dëmtuar-familjes Kastrati, kishin thënë se e njëjta kërkesë përmban vetëm prejudikime dhe ka për qëllim zvarritjen e procedurës.

Ndërkaq para kolegjit të Apelit, të përbërë nga Tomka Berishaj, Xhevdet Abazi dhe Afrim Shala, të akuzuarit Tasim dhe Nasip Zhuniqi ishin deklaruar të fajshëm dhe kanë shprehur keqardhje për atë çka ka ndodhur.

https://kallxo.com/deshmitari-rrefen-si-ia-vrane-vellane-para-syve/

Gjatë seancës së sotme janë lexuar shkresat e lëndës.

Pjesë e shkresave të lëndës ishte edhe CD-ja me pamjet nga vendi i ngjarjes.

Në CD-në e lëshuar në monitorin e Gjykatës, u vërejt i akuzuari Tasim Zhuniqi me armë në dorë në rrugën Prizren-Gjakovë.

Prokuroria pretendon se Tasim dhe Nasip Zhuniqi, në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të Rahovecit, në bashkëkryerje kanë vrarë Nuredin Kastratin nga Prizreni.

Pas shikimit të CD-së, mbrojtësja e të akuzuarit Nasip Zhuniqi, avokatja Kosovare Kelmendi, tha se CD-së nuk i dihet origjina.

“CD nuk e kam kundërshtuar, por kjo dëshmon dhe vërteton tezën mbrojtëse ashtu edhe mbrojtjen e të akuzuarit Nasip sepse aty vërehet i akuzuari Tasim dhe një person tjetër duke kaluar, andaj kjo vërteton se deklarimi i dëshmitarit të mbrojtur është i sajuar dhe se i akuzuari Nasip nuk ka qenë fare te viktima”, tha avokatja Kelmendi.

Bëhet e ditur se për shkak të mungesës së pajisjeve teknike, seanca e kaluar është mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, ku edhe është dëgjuar një dëshmitar i mbrojtur.

https://kallxo.com/eksperti-balistik-tregon-si-u-gjuajten-plumbat-qe-lane-te-vdekur-nuredin-kastratin/

“Bëj vërejtje në provat dhe mënyrën që janë propozuar në aktakuzë, ndërsa sot vërej se kryetari i trupit gjykues me përkushtim dhe profesionalizëm ka specifikuar dhe emëruar secilën provë e cila gjendet në shkresat e lëndës, e të cilat në përshkrim të tyre dallojnë tërësisht me përshkrimin e paraqitur në propozimin e aktakuzës, por mbrojtja nuk ka vërejtje me provat e lexuara, por vërejtja konsiston me raportin e hetuesit policor A.H., raporti i këqyrjes se vendit te ngjarjes, sepse nga këto prova të përpiluara nga hetuesit vërtetohet se vendi i ngjarjes ka qenë i kontaminuar, provat janë manipuluar siç e cekin zyrtarët policorë në raportet e tyre, elemente këto të cilat tregojnë se gjendja faktike në aktakuzë nuk korrespondon me provat materiale, pra gjendja faktike është përshkruar krejt ndryshe”, deklaroi avokatja Kosovare Kelmendi.

www.kallxo.com