Gjykimi i Albert Fazliut - Foto: KALLXO.com

I akuzuari: E godita kushëririn me thikë, por jo me qëllim që ta privoj nga jeta

Një fjalosje për një shumë të vogël parash kishte rezultuar me një përleshje fizike mes kushërinjsh nga Gjilani.

Gjatë kacafytjes, Albert Fazliu kishte sulmuar me thikë kushëririn, Veli Fazliun, duke i shkaktuar lëndim të rëndë në pjesën e majtë nën gjoks.

Lidhur me këtë rast, Alberti dhe Veliu sot kanë dalë në gjyq. I pari si i akuzuar për dy vepra penale: vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, e i dyti si palë e dëmtuar.

Në fjalën hyrëse të shqyrtimit  gjyqësor në Gjykatën e Gjilanit, Albert Fazliu tha se e pranon që e ka goditur me thikë kushëririn por jo me qëllim që ta privojë nga jeta.

“E pranoj fajësinë që e kam goditur por jo me qëllim të privimit nga jeta”, deklaroi i pandehuri Albert Fazliu.

Kjo deklaratë e tij nuk u mor nga trupi gjykues si pranim i plotë i fajësisë dhe gjykimi vazhdoi më tutje me fjalën hyrëse të palëve dhe dëgjimin e dëshmitarëve.

Në këtë gjykim më pastaj  rrëfeu ngjarjen dëshmitari në cilësinë e të dëmtuarit, Veli Fazliu, i cili u mor në pyetje fillimisht nga prokurori e më pastaj nga mbrojtësi i të akuzuarit dhe në fund nga trupi gjykues.

Veliu tregoi para Gjykatës rrjedhën e ngjarjeve që rezultuan me sulmin me thikë ndaj tij.

“Ditën kritike jemi fjalosur me fjalë unë me Albertin dhe e gjithë kjo ka qenë për shkak të pak parave. Unë të njëjtit më herët ia kam marrë 30 euro, pastaj për ato të holla jemi marrë vesh që mos me ia kthy dhe i njëjti po në këtë ditë më ka thënë me ia dhënë të hollat, e unë i kam thënë se këtë punë e kemi kryer për kompensimin e të hollave”, tha Veliu.

“Pas kësaj menjëherë jemi rrokur dhe i akuzuari fillimisht ka filluar të më godasë me shkelëm në trup dhe unë kam reaguar. Pastaj e kam pa se jam i therur në anën e majtë të gjoksit”, shtoi Veli Fazliu.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, Albert Fazliu, avokatit Kadri Sylaj, se a ka pasur qëllim të ju mbys juve Alberti me veprimet e tij dhe si e ke gjendjen me shëndet, i dëmtuari u përgjigj duke thënë se në ditën kritike Alberti nuk ka pasë qëllim të më mbys mua dhe gjendja shëndetësore e imja është e mirë.

Në pyetjen kryetarit të trupit gjykues, Zyhdi Haziri, se a i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe a parashtron kërkesë pasurore juridike, dëshmitari u  deklarua se nuk i bashkohet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit e po ashtu nuk ushtroi kërkesë pasurore-juridike.

“Ne jemi pajtuar se jemi familjarë dhe jemi në një oborr dhe kemi marrëdhënie të mira mes veti”, tha Veli Fazliu.

Seanca gjyqësore më tutje vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Mentor Hyseni, i cili kishte qenë prezent në ditën kritike kur kishte ndodhur ky rast.

Ai tregoi para trupit gjykues për ngjarjen si kishte ndodhur deri te kacafytja mes këtyre dy personave, duke potencuar se mbetet në tërësi  pranë deklaratës që e ka dhënë në Prokurori.

Në këtë proces gjyqësor i ftuar ishte edhe dëshmitari Andi Hyseni, por meqenëse nuk ishte prezent, prokurori i shtetit Shaban Spahiu, deklaroi se i njëjti duhet të dëgjohet si dëshmitar.

Andaj, trupi gjykues në përbërje me Zyhdi Hazirin, kryetar, Menderes Behluli dhe Boban Aleksiq anëtarë, mori aktvendim  që dëshmitari në fjalë të sillet me urdhëresë për seancën e ardhshme.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, Albert Fazliu nga Gjilani  akuzohet për dy vepra penale: Vrasje në tentativë, sepse më datë 25 maj 2018, me qëllim të privimit nga jeta pasi fillimisht ka hyrë në konflikt fizik me të dëmtuarin Veli Fazliu nga Gjilani, ka nxjerrë nga xhepi i trenerkës një thikë dhe më pas me të njëjtën e ka goditur të dëmtuarin njëherë në anën e majtë nën gjoks por që në ato çaste kanë intervenuar njerëzit që ishin prezent dhe e kanë ndalë nga sulmi i mëtejmë, ashtu që vepra penale e privimit nga jeta ka mbetur në tentativë.

Ndërkaq, i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore për shkak të të cilave fillimisht është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit e nga aty për në QKUK Prishtinë për trajtim mjekësor.

Si dhe për veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sepse i njëjti në datën dhe kohën e njëjtë sipas pikës 1 të aktakuzës ka siguruar dhe mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar armën e ftohtë, përkatësisht thikën të cilën edhe e ka përdorur në vend publik si në dispozitiv të aktakuzës, e cila më pas i është konfiskuar nga ana e policisë.

Seanca e radhës do të mbahet më 26 nëntor.