Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari dyshohet se kërcënoi të dëmtuarin në gjykatë

Para se të niste seanca e djeshme e gjykimit të Tomë Merturit që akuzohet për dëmtim prone, në korridorin e Gjykatës në Gjakovë i akuzuari dyshohet se kërcënoi të dëmtuarin e këtij procesi Milazim Musën.

Zyrtarët policorë ndërhynë pas fjalëve të Merturit të thëna në objektin e gjykatës.

Zyrtarja për Informim e Policisë në Gjakovë Lirie Podrimaj e konfirmoi për KALLXO.com ndërhyrjen e policisë në këtë rast.

Ajo bëri të ditur se janë arrestuar dy persona.

“Zyrtarët policorë kanë intervenuar menjëherë dhe me urdhër të prokurorit Armend Zenelaj, pas përfundimit të seancës dy personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë intervistuar”, tha Podrimaj.

Ajo tregoi se policia rastin e ka cilësuar si kanosje, ndërsa të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor.

Arrestimin e dy personave nën dyshimin për kanosje në Gjykatën e Gjakovës e konfirmoi edhe policia në raportin e përditshëm të saj.

KALLXO.com shkroi edhe për raste tjera të ngjashme.