Gjykimi për vrasjen e Skender Limajt, ndaj të akuzuarit Emin Krasniqi - FOTO KALLXO dhjetor 2018

I akuzuari ankohet në gjykatë se kaloi natën në dysheme, drejtori i Qendrës së Paraburgimit e mohon

Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren Hamit Ademaj, i kontaktuar nga Kallxo.com ditën e premte më 14 dhjetor, ka mohuar që i akuzuari Emin Krasniqi, të ketë fjetur ditën e enjte në dysheme të betonit vetëm me batanije.

https://kallxo.com/gjykimi-per-vrasjen-e-skender-limajt-hyn-ne-vitin-e-nente/

Emin Krasniqi, nëpërmjet avokatit të tij Florim Vërtopi, në seancën e ditës së premte i ishte ankuar kryetares së trupit gjykues Raima Elezi se i akuzuari Emin Krasniqi natën e së enjtes kishte fjetur në dysheme vetëm me një batanije.

I kontaktuar nga Kallxo.com, menjëherë pas seancës ditën e premte, drejtori Ademaj ka sqaruar situatën lidhur me punën në qendrën e paraburgimit dhe rastin për të akuzuarin Emin Krasniqi, i njëjti fillimisht deklaroi se: ”… së pari dua të sqaroi se jemi të mbingarkuar me të paraburgosur, pra jemi duke punuar me vështirësi, jo vetëm ne por në të gjitha qendrat e paraburgimit, thuajse të gjitha dhomat janë të mbushura dhe të ngarkuara”.

Ndërsa sa i përket ankesës së të akuzuarit Emin Krasniqi, drejtori Ademaj ka sqaruar situatën, duke deklaruar për Kallxo.com se ”Emin Krasniqi, vetë ka kërkuar që të transferohet ditën enjte në qendrën e paraburgimit në Prizren, në mënyrë që të pushojë, që të jetë i gatshëm dhe i pushuar për seancën e së premtes”.

Drejtori Ademaj sqaroi se transferimi është bërë me vetë kërkesën e të akuzuarit.

“Për të njëjtin nuk ka pasur vendim për transferim apo diçka të ngjashme, por i njëjti vetë ka kërkuar që të transferohet një natë para seancës në Prizren”, tha Ademaj.

Ai e ka mohuar se i akuzuari Emin Krasniqi të ketë fjetur në dysheme.

“Ne e kemi njoftuar për kushtet dhe për situatën në të cilën gjendemi, por ai ka pranuar dhe ka dhënë pëlqimin që të kaloj natën e së enjtes në qendrën e paraburgimit Prizren”, tha Ademaj për KALLXO.com.

Ademaj sqaroi se të njëjtit i janë ofruar të gjitha pajisjet për të kaluar natën, pra një dyshek, jastëk, mbulesë, por nuk ka pasur  asnjë krevat të lirë në të gjithë qendrën e paraburgimit.

“Pra të kemi të qartë se i akuzuari Krasniqi e ka ditur situatën dhe i kemi treguar se nuk ka vend të lirë. Por ai ka dhënë pëlqimin e tij edhe nën këto kushte vetëm që të jetë një natë para se të fillojë seanca ndaj tij ditën e nesërme pra të premten. Ai edhe më parë e ka bërë të njëjtin veprim, pra një ditë para se të mbahej seanca ndaj tij kërkonte që të transferohej një natë para seancës që të pushonte për seancën e së nesërmes”, tha ai.

Drejtori Hamit Ademaj, për Kallxo.com tha se kushtet në qendrën e paraburgimit në Prizren, janë të vështirësuara për shkak të numrit të madh të të paraburgosurve.

“Duhet të theksojmë që situata në të cilën po punojmë dhe po operojmë është e vështirë. Jo vetëm në Prizren por në të gjitha qendrat e paraburgimit në Kosovë, po punohet me vështirësi dhe po është vështirë e përballueshme situata momentale, pasi që numri i të paraburgosurve është shumë i madh në krahasim me kapacitet që i kemi’, tha ai.

35 Vjet për Vrasjen në Banjë të Malishevës

 

Vazhdon Gjykimi për Vrasjen në “Kështjellë”

.