Gjykimi i ish-komandantit të Policisë në Novobërdë - Foto : KALLXO.com

I akuzuar për ryshfet dhe moslajmërim të veprës penale, ish-komandanti i Policisë nuk e pranon fajësinë

Në Gjykatën e Gjilanit sot vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-komandantit të stacionit policor në Novobërdë, Shukri Aliu, i akuzuar për dy vepra penale: marrje ryshfeti dhe moslajmërim i veprës penale.

Në seancën e sotme, Shukri Aliu iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij Ymer Huruglica, prokurorit Arben Kadriu dhe trupit gjykues, i përbërë nga Naser Maliqi kryetar, dhe Sabedin Mushica e Agim Ademi anëtarë.

“Nuk e pranoj fajësinë për veprat penale që më vihen në barrë”, tha i pandehuri Shukri Aliu.

Në pyetjen e avokatit të tij, Ymer Huruglica se çfarë detyre ke ushtru në vitin 2017 dhe a e njeh Ivan Dekiqin dhe Ivan Markoviqin, i akuzuari tha se në vitin 2017 ka qenë komandant i stacionit policor në Novobërdë dhe se Ivan Dekiqin e njeh qe 5-6 vite pasi që i njëjti ka qenë roje gjahu dhe bashkëpuntor i Policisë. Kurse për Ivan Markoviqin deklaroi se e njeh më pak për faktin se nuk i takon komunës së Novobërdës dhe i cili e ka nusen nga Novobërda dhe merret me transport të druve.

I pyetur nëse e njeh Naser Mehmetin, Shukri Aliu deklaroi se e ka takuar vetëm një herë rastësisht dhe se nuk ka kërkuar asnjë favor prej tij.

Prokurori i shtetit e ballafaqoi të pandehurin edhe me transkriptet e përgjimeve të datës 2 shtator 2017, kësaj radhe lidhur me bisedën e zhvilluar mes tij dhe Naser Mehmetit.

Shukriu u përgjigj duke thënë se nga ky përgjim sa unë po kuptoj po shihet se unë nuk jam njohur me Naserin.

Më tutje, Shukri Aliu rrefeu se si ka rrjedhë procesi i blerjes së druve nga Ivan Markoviq.

“Më kujtohet që jemi marrë vesh për drutë por nuk më kujtohet se a  jemi takuar drejtpërdrejt apo me telefon kam bisedu me të. Ivan Markoviqit i kam kërkuar 8 metra dru të m’i sjellë në shtëpi me çmim prej 140 euro për një furgon… dhe i njëjti më ka sjellë dy furgona nga 4 metra dru që bëjnë 8 metra. Unë nuk e di se prej kujt i ka marrë drutë por vetëm më ka interesu a janë drutë e dankosura dhe me dokumentacion në rregull. Kurse sa i përket pagesës së druve atë ia ka bërë bashkëshortja ime, madje edhe herën e parë kur kam qenë aty”, tha i pandehuri Shukri Aliu.

Më pastaj u ballafaqua edhe me transkriptet e përgjimeve telefonike, fillimisht të atyre të datës 31 gusht 2018, ku kishte ndodhur një bisedë mes tij dhe Ivan Dikiqit, e për të cilat ai i pohoi se janë të vërteta këto fjalë. “Po, kjo është e vërtetë”, tha Shukri Aliu.

I pandehuri  më tej u përgjigj edhe në pyetjet për raportin me Ivan Dikiqin, lidhur me përdorimin e një arme dhe  për ndihmën që ia kishte dhënë Ivan Dikiqit, me rastin e martesës së tij me një vajzë të mitur.

“Ivan Dikiqi e ka pasë një armë sepse ka qenë roje e gjahut, mirëpo unë kurrë nuk ia kam parë dhe i njëjti ka pasë leje por nuk e di a ka qenë me afat të skaduar apo jo. Më vonë e kam kuptuar se ka qenë fjala për pushkë gjuetie e jo Karabinë”, tha i pandehuri.

“Ivan Dekiq është i martuar se vet më ka tregu, i njëjti më ka treguar se e ka marrë një vajzë nën moshën 18 vjeçare, më ka thënë se ajo është nën 18 vjeç dhe mbi 16 vjeç dhe më ka kërkuar se çka mund të bëjë në këtë rast. Unë i kam thënë që në rend të parë duhesh të dakordohesh me familjen e saj, e atëherë mund të bashkëjetosh me të”, tha Shukri Aliu.

Më tutje ai deklaroi se Dikiqit i ka thënë se me personin e moshës 16-18 vjeç mund të bashkëjetojë por me vendim të gjykatës.

“Ivan Dikiq më pastaj më tha se ajo çika i ka rreth 17 vjeç”, deklaroi Shukri Aliu.

Kurse në ballafaqimin me transkriptin e bisedës të datës 23.07.2017 në faqën 3 dhe 4, ku i pandehuri Shukri Aliu i kishte thënë Ivan Dikiqit: “Nën 16 vjeç, unë kam menduar se i ka mbushur 16 vjeç, mos i thuaj askujt, kush të pyet thuj i ka 17 e më tepër, gati 18”. Lidhur me këtë Shukri Aliu deklaroi se “nuk më kujtohet se i kam thënë nën 16 e rreth 17 por Ivan Dikiqi më ka thënë se mbi 16 vjeç i ka ajo çikë”.

Në pyetjen e trupit gjykues se prej nga ky raport i ngushtë mes teje e Ivan Dikiqit, i pandehuri tha se me Dikiqin ka biseduar edhe për sende më intime e jo vetëm për martesë. “Ai ka lyp sqarime se a muj me bashkëjetu me një person nën moshën 16 vjeç”, u përgjigj ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Shukri Aliu akuzohet për  veprën penale të marrjes së ryshfetit për shkak se si komandant i policisë në Novobërdë, kishte pranuar dhuratë-drutë me sasi prej 5 metër kub, për zbulimin e vjedhjes së pyellit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani, ashtu që Ivan Dikiq i kërkon një traktor me dru nga Naser Mehmeti për të pandehurin Shukri, me arsyetimin se i njëjti e kishte zbuluar vjedhjen e malit.

Naser Mehmeti përmes Ivan Markoviqit dhe Dikiqit, ia dërgon të pandehurit sasinë e druve të lartcekur dhe përmes telefonit Naseri e njofton Shukri Aliun duke i thënë “përshëndetje shoq, punën ta kryeta, drutë ia dhash Ivanit me ti pru” dhe i pandehuri Shukri i falënderohet.

Shukri Aliu akuzohet edhe për veprën penale moslajmërimi i veprave penale sepse gjatë periudhës kohore 22-23 korrik 2017 përmes telefonit komunikon me Ivan Dikiq dhe nga i njëjti mëson se pa leje valide është duke poseduar armë zjarri dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, si dhe akuzohet se kishte dijeni që Ivan Dikiq është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç, dhe si rrjedhojë nuk ndërrmer veprime zyrtare por i jep udhëzime duke i thënë “që të bëjë kujdes deri në muajin gusht, pasi e njëjta i mbush 16 vjeç”, dhe si person zyrtar në cilësinë e komandantit të stacionit policor në Novobërdë ka mësuar për këto veprime dhe nuk ka lajmëruar.

Gjykimi për këtë rast do të vazhdojë më 8 nëntor, kur do të jepet fjala përfundimtare e palëve.