I akuzuar për punësim të paligjshëm, ish-drejtori: E bëra për ta ulur papunësinë

Ish-drejtori i Arsimit, Shëndetësisë dhe Kulturës i Komunës së Kllokotit, Mirosllav Stoliq, ka dalë sot para Gjykatës në Gjilan për t’u përballur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria thotë se Stoliq ka kryer këtë vepër penale duke punësuar dhe duke bërë pagesa të punëtorëve në mënyrë të jashtëligjshme.

Në seancën e sotme u mor në pyetje dëshmitari Aleksandar Trajkoviq dhe i akuzuari Mirosllav Stoliq.

Dëshmitari Trajkoviq, ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Kllokotit, i cili edhe kishte ngritur kallëzim penal ndaj të akuzuarit Stoliq, në dëshminë e tij tregoi për parregullsitë e bëra me rastin e shpalljes së konkursit dhe pranimit të punëtorëve ndihmës në shkollën fillore “Marko Rajkoviq” në Verboc të Kllokotit.

Sipas tij, keqpërdorimet në këtë konkurs i kishte hetuar kur kishte parë se ishin pranuar 8 punëtorë ndihmës, nga 5 sa ishin kërkuar në shpallje të konkursit. Dëshmitari Trajkoviq, thotë se drejtori i Arsimit në atë kohë, tani i akuzuari Mirosllav Stoliq, ka keqpërdorur detyrën zyrtare sepse në momentin kur ka pranuar punëtorë më tepër se sa që ka pasur nevojë ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kllokotit.

Sipas këtij dëshmitari, këta punëtorë ndihmës kanë mbajtur këto pozita të punës ani pse nuk kanë shkuar në punë për çka janë emëruar.

Ai tha se punëtorët e pranuar në këto pozita kanë qëndruar në shtëpi më shumë sesa në punën që janë pranuar, ani pse kanë marrë pagën.

“Punëtorët në fjalë kanë marrë nga një pagë dhe se këta punëtorë ndihmës edhe pse janë pranuar në punë i kam parë vetë që disa shkojnë në punë e disa rrinë në shtëpi, duke punuar nëpër ara”, tha dëshmitari Trajkoviq.

Tutje, sipas këtij dëshmitari, i akuzuari Stoliq, në kohën kur është shpallë konkursi, nuk ka qenë drejtor i Arsimit, por më vonë gjatë pranimit të tyre ai ishte emëruar si drejtor dhe i njëjti ka shkelur ligjin në fuqi me rastin e pranimit të tyre.

Mirëpo kur u pyet se kush ka vendosur për shpalljen e këtij konkursi dhe kush i ka rekomanduar pranimin e këtyre punëtorëve dhe cili ishte roli i të akuzuarit Stoliq në këtë proces, dëshmitari tregoi se ky konkurs është shpallur nga Drejtoria e Arsimit, përkatësisht drejtori i mëparshëm Aleksandar Stoilkoviq dhe punëtorët i ka pranuar komisioni për intervistimin e kandidatëve. Ndërsa për rolin e të akuzuarit në këtë proces të rekrutimit ai tha se nuk e di a ka qenë anëtar në këtë komision për pranimin e këtyre punëtorëve.

Më pas, gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje të të akuzuarit Mirosllav Stoliq.

I akuzuari Stoliq tregoi se nga maji i vitit 2014 kishte punuar si drejtor në Drejtorinë për Arsim, Shëndetësi, Kulturë dhe Shërbime Sociale.

Lidhur me akuzën që e ngarkon, ai deklaroi se nuk e pranon fajësinë dhe se qëllimi për emërimin e këtyre punëtorëve ndihmës ishte që të zvogëlohet niveli i papunësisë si dhe për shkak se kjo shkollë i ka dy paralele të ndara një në Verboc dhe një në Mogillë.

Ai më tutje tha se kur ka ardhur drejtor i ka gjetur këta punëtorë ndihmës të punësuar dhe se nuk kishte parë ndonjë parregullsi në këtë konkurs, për atë dhe nuk kishte ndërmarrë masa për anulim.

“Gjatë kohës sime sa kam qenë drejtor nuk ka pasë pranim të tepërt të punëtorëve, por vetëm aq sa ka qenë nevoja, kurse ka pasur punëtorë arsimorë që janë pranuar në punë por vetëm me gjysmë norme, dhe kjo është bërë për faktin se shkolla ka funksionuar sipas dy plan-programeve”, tha ndër të tjera i akuzuari Stoliq.

Lidhur me dëmtimin e buxhetit të Komunës së Kllokotit, i akuzuari deklaroi se nuk është dëmtuar për arsye se siç thotë ai nga pranimi i këtyre kandidatëve të punësuar, nuk ka pasur asnjë ankesë nga kandidatët e tjerë që kishin aplikuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, përfaqësuar nga prokurori Agron Uka, i akuzuari Mirosllav Stoliq akuzohet se në cilësi të drejtorit në Departamentin për Arsim, Kulturë dhe Sport në Komunën e Kllokotit, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore dhe në kundërshtim me ligjin, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke shkelur ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Stoliq ka keqpërdorur autoritetin zyrtar në atë mënyrë që konkursin e shpallur më 11 mars 2014, ka pranuar në marrëdhënie pune tetë punëtorë ndihmës dhe pesë mësimdhënës në shkollën fillore “Marko Rajkoviq”, pa i përfillur procedurat e parapara me aktet ligjore. Po ashtu, sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri gjatë vitit shkollor 2014/2015 ka paguar më tepër punëtorë ndihmës dhe mësimdhënës duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 25.000 euro.

Kallxo.com ka mësuar së ndaj Mirosllav Stoliq në shtator të këtij viti është ngritur edhe një aktakuzë për punësimin e një mjeke infermiere e cila për dy vite ishte paguar pa qenë fare në vendin e punës në QKMF në Kllokot.