Teatri i Gjilanit

Hyseni: Teatrot e rretheve, njësi buxhetore të komunave përkatëse   

Me futjen e Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës si njësi buxhetore në komunat përkatëse dhe miratimi i Ligjit të ri që pritet të votohen gjatë muajve në vazhdim pritet të marrë fund problemi financiarë i  teatrove komunale.

Për vite me radhë Teatrot Publike të Qyteteve të Kosovës, janë përballur me probleme financiare, dhe infrastrukturore.

Komunat si themeluese të këtyre teatrove vazhdimisht kanë përjashtuar obligimin financiarë ndaj tyre duke ua arsyetuar në ligj. Edhe pse ligji nuk ua ka pamundësuar atyre të financojnë teatrot e tyre.

Në një intervistë për Kallxo.com, Fatmir Hysenin, kryetar i Asociacionit të Qyteteve të Kosovës, njëkohësisht dhe drejtor i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, flet për problemet e këtyre teatrove, financat, ndikimet politike dhe përfitimet që do të kenë teatroret kosovare me ligjin e ri për teatrot që pritet të miratohet gjatë këtij viti.

Fatmir Hyseni, kryetar i Asociacionit të Qyteteve të Kosovës
Fatmir Hyseni, kryetar i Asociacionit të Qyteteve të Kosovës

Kallxo.com: MKRS pati premtuar se deri në fund të qershorit 2019 do të ketë gati draftligjin e ri për teatrot që pastaj në korrik ai të procedohet për miratim në qeveri e më pas në Parlament. Sa është arritur kjo duke qenë se ju jeni pjesë e ekipit për draftimin e këtij ligji?

Fatmir Hyseni: Draftligji për teatrot është gati, besoj dhe shpresoj se procedohet deri në fund të korrikut në Kuvendin e Kosovës për miratim. Grupi punues e ka përfunduar punën rreth përplotësimit të ligjit për teatrot.

Mungesa e ligjit, pasoja dhe sfidat

Kallxo.com:  Cilat janë pasojat për teatrot e qyteteve nëse nuk miratohet ligji i ri për teatrot?

Fatmir Hyseni: Po realisht tash nuk mundemi të përgjigjemi hpotetikisht, por dihet përfundimisht se Teatrot e tetë qyteteve kanë hy në buxhetin e Kosovës për vitin 2020. Për këto teatro nuk ka problem edhe nëse nuk miratohet ligji i ri i teatrove, pasi të gjitha punët munden të kryhen edhe me ligjin aktual të teatrove. Dihet se problem kryesor ka qenë zgjidhja e problemit financiar të teatrove, dhe me hyrjen e teatrove në buxhetin e Kosovës ky problem veç është zgjidhur. Pasoja ndoshta mund të ketë për themelimin e teatrove tjera, dhe në organizimin sa më të mirë të repertoreve teatrore, pasi me ligjin e ri janë paraparë disa ndryshime si në aspektin artistik, por edhe në atë organizativ.

Kallxo.com:  Po nëse miratohet ky ligj siç është premtuar a pritet të shpëtojë teatrot nga kriza ku janë futur?

Fatmir Hyseni: Ligji i ri është shumë më i favorshëm për teatrot e qyteteve, si në aspektin organizativ por edhe në funksionimin e tij si institucion me pavarësi financiare.

Kallxo.com:  Zakonisht, komunat kane fajësuar ligjin për problemet financiare që po përballen teatrot e qyteteve, cilat sipas jush janë shkaqet e problemeve që po kalojnë këto teatro.

Fatmir Hyseni: Është e vërtetë që janë fajësuar komunat, pasi që ligji aktual nuk i ka detyruar komunat për financimin e rregullt të teatrove, por nëse këto komuna kanë mundësi. Dihet se mundësit buxhetore të komunave dhe niveli i zhvillimit të politikave kulturore nëpër komuna nuk është prioritet, atëherë teatrot kanë mbet në mëshirën kryesisht të vullnetit politik. Ne anën tjetër faji është hedhur edhe në ligjin aktual nga ana e komunave, kjo edhe qëndron pasi ligji nuk i obligon që teatrot të jenë njësi buxhetore.

Kallxo.com:  Jo rrallë për gjendjen financiare që po kalojnë teatrot janë fajësuar edhe komunat- kryetarët e tyre, për neglizhencë dhe mos interesim. Sa janë treguar komunat të gatshme të zbatojnë ligjin .

Fatmir Hyseni: Faji është jetim, pasi institucionet ja kanë hedhur njëra tjetrës fajin. Por më kryesorja është se asnjëra pale nuk e ka pas vullnetin politik për ta quar përpara këtë çështje. Ne si Asociacion e kemi bërë që teatri të hyn në agjendat politike, dhe kemi hasur në mirëkuptim, ku kemi arritur që teatrot e qyteteve tani të jenë njësi buxhetore në komunat përkatëse.

Ndikimet politikë dhe klanet

Kallxo.com:  Është folur shumë për ndikime politike dhe klanore në teatrot kosovare, sa është arritur që këto ndikime të mbahen larg teatrove?

 

Fatmir Hyseni: Kosova vuan nga ndikimi politik në çdo sferë të jetës shoqërore. Edhe teatri nuk ka mundur ti ikën këtij ndikimi politik, pasi që partitë politike zhvillohen kryesisht për të pasur ndikime politike, e jo për t`i zhvilluar institucionet demokratike. Është shumë e dhimbshme që teatrot janë ndikuar politikisht, dhe kjo ka mundësuar edhe klanet artistike që e dominojnë tregun artistik. Shpresoj se me ligjin e ri teatrot do të kenë më shumë pavarësi në çdo drejtim si financiar dhe politik.

Kallxo.com:  Pavarësisht problemeve skena  teatrore ne vend ka bërë jetën e saj. Si do ta vlerësonit këtë gjashtëmujor të këtij viti të punës së teatrove profesioniste të qyteteve të Kosovës?

Fatmir Hyseni: Është interesant se teatrot e qyteteve edhe përkundër gjendjes shumë të rëndë, kanë mbajt gjallë artin skenik, jo nga mbështetja e ofruar se sa nga vullneti i artisteve. Edhe këtu kemi dallime nëpër komuna, ku disa teatro janë shumë ma aktiv se të tjerët, varësisht nga përkrahja e komunave përkatëse.