Takimi i Hysenit me strukturat e sigurisë | Foto: KALLXO.com

Hyseni: Narkotikët dhe Trafikimi Shqetësues për Kosovën

“Trafikimi me qenie njerëzore është problem real ne Republikën e Kosovës. Fatkeqësisht duhet ta them së Kosova nuk qëndron mirë në fushën e luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore,“ tha ministri i Punëve të Brendshme para anëtarëve të forumeve të sigurisë së pesë komunave të Dukagjinit.

Duke përmendur raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, ministri Hyseni tha së MPB-ja dhe policia janë vlerësuar me shumë sesa prokuroria dhe gjykatat, të  cilat sipas tij, kanë dështuar në luftimin e kësaj dukurie në vendin tonë.

Përveç shqetësimit për dukurinë e trafikimit me qenie njerëzore, Hyseni para anëtarëve të këtyre forumeve tha se e brengos edhe përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme.

“Një nga ato më të dhimbshmet është përdorimi i drogave dhe substancave narkotike sidomos te grupmoshat shkollore, kryesisht të shkollave të mesme, po jo rrallë fatkeqësisht edhe te shkollat fillore,” deklaroi ministri.

Ai tha së duhet si shoqëri që bashkërisht me institucionet përkatëse të luftohet konsumimi i substancave narkotike.

Por sipas ministrit Hyseni, Kosova ka arritur sukses të madh në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm.

“Republika e Kosovës nga një vend që ishte para një viti e gjysmë në krye të vendeve të prodhojnë ekstremistë, dërgojnë luftëtarë  në Siri dhe Irak.  Jemi në muajin e njëmbëdhjetë që në Republikën e Kosovës nuk është shënuar asnjë rast i vetëm të shkuarjes në Siri,Irak apo kudoqoftë tjetër,” tha ai.

Në ketë tryezë morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga komunat e Pejës, Klinës, Deçanit, Istogut dhe Junikut.

Skender Hyseni takime të tilla pritet të zhvillojë në të gjitha rajonet e Kosovës.