Konferenca e fundvitit e Gjykatës në Ferizaj | Foto: KALLXO.com

Hyseni: Gjykata në Ferizaj Zgjidhi 95 % të Lëndëve të Korrupsionit

Bashkim Hyseni, kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt duke folur për gazetarë në konferencën e fundvitit tha se kjo gjykatë ka zgjidhur 95 për qind të lëndëve që lidheshin me korrupsionin.

Sipas Hysenit, në Gjykatën e Ferizajt lëndë të tilla ishin sivjet 135, ndërsa janë zgjidhur 128.

Hyseni tha se përqindja ishte e lartë edhe në zgjidhjen e lëndëve kundër terrorizmit, ku nga katër prej tyre, tri u përfunduan.

Gjykata e Ferizajt sivjet pranoi për shqyrtim 4960 lëndë, ndërsa duke përfshirë edhe të kaluarat, zgjidhi në 2016-ën 76340 prej tyre.

Kësaj gjykate i kanë mbetur të pashqyrtuara edhe 13 mijë e 542 lëndë.

Hyseni tha se sipas një raporti të Ministrisë së Drejtësisë, Gjykata në Ferizaj Drejtësisë ka shqiptuar më së shumti dënime alternative që nuk janë të natyrës izoluese.

Hyseni foli edhe për vendimet e gjykatës për konfiskime.

“E arritur është edhe zgjidhja e rasteve me konfiskim ku disa prej këtyre rasteve janë zgjidhur me vendim të formës së prerë. Në vetëm një rast shuma e konfiskuar është me e lartë se 1 milion e gjysmë euro,” tha Hyseni.

Hyseni foli edhe për transparencën.

“Gjithashtu si e arritur është edhe publikimi i aktgjykimeve ne web portal ku janë publikuar 30 aktgjykime. Nga 1 janari do të publikohen te gjitha aktgjykimet,” tha Hyseni.

Sipas tij, prioritet për vitin 2017 do të jetë minimizimi i pritjes së çështjeve gjyqësore.