Hyseni e Vlerëson të Suksesshme Luftën e Kosovës Kundër Terrorizmit

Ministri Hyseni gjithashtu tregoi për numrin e madh të kosovarëve të përfshirë në luftërat në vendet islamike gjatë këtij viti. Përmendi 316 individë nga Kosova të përfshirë në këto luftëra të huaja, nga të cilët tha se 37 janë gra.

“Një fushë mjaftë e veçantë që ne jemi përqendruar gjatë këtij viti ka qenë ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi i shoqërisë së Kosovës dhe pjesëmarrja e qytetarëve në luftërat në vende të huaja,” tha Hyseni.

Hyseni e quajti të suksesshme edhe betejën e Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër krimit të organizuar.

Tha se nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar janë ngritur 373 kallëzime penale ndaj individëve të caktuar, si dhe 613 persona janë arrestuar, 19 grupe kriminale janë asgjësuar, ndërsa janë realizuar 467 veprime operacionale.

Hyseni deklaroi se MPB-ja ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara prej saj për liberalizim vizash, ndërsa kujtoi edhe migrimin e madh të kosovarëve drejt vendeve të BE-së në fillim të këtij viti.

Bëri të ditur se ministria është vlerësuar lart nga këto vende për riatdhesimin e 18 mijë të kthyerve nga kjo valë refugjatësh.

Hyseni e vlerësoi 2015-ën si vit plot sfida për Policinë e Kosovës, për shkak të shumë protestave të zhvilluara.

Ai premtoi se së shpejti do të miratohet Projektligji për Pensionimin e Parakohshëm të Policëve të Kosovës, me të cilin pjesëtarët e policisë do të pensionohen në moshën 55 vjeçare.

Hyseni nuk foli për konstatimin e Komisionit për Punë të Brendshme që Policia e Kosovës ka moshën mesatare 43 vjeç-më të vjetrën në rajon.

http://kallxo.com/policia-e-vjeter-e-vendit-me-shume-te-rinj/

Ministri i Punëve të Brendshme foli edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar të Policisë së Kosovës, duke vënë në dukje aplikimin në INTERPOL. Për të qenë pjesë e EUROPOL-it, tha se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së.