Hykmete Bajrami, LDK, deputete.

Hykmete Bajrami: Në MTI janë punësuar 40 persona me kontrata mbi vepër

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në seancën e Kuvendit të Kosovës ka akuzuar pasardhësin e saj në këtë ministri, Bajram Hasanin për mosardhje në Kuvend.

Përveç mungesës, ajo e ka akuzuar ministrin edhe për punësime me kontrata mbi vepër.

“Sot në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë i keni mbi 40 zyrtarë që janë punësuar me kontrata mbi vepër”, tha tutje deputetja Bajrami.

Ajo ka folur edhe punësimet e zyrtarëve të lartë me kritere politike, që sipas saj shënojnë regres në implementimin e MSA-së.

Deputetja Hykmete Bajrami ka përmendur edhe marrëveshjen në mes të Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Ambasadës Britanike për rekrutimin e zyrtarëve të lartë në Kosovë.

“Vitin e kaluar e patëm vendosur një praktikë të mirë, ku zyrtarët të lartë punësohen nën mbikëqyrje të një kompanie të kontraktuar nga ambasada e Britanisë së Madhe, i kemi letrat, ankesat ku sekretarët permanent të ministrive punësohen pa i plotësuar as kriteret minimale”, tha Bajrami.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar. KALLXO.com është duke i transmetuar drejtpërdrejt punimet e Kuvendit të Kosovës.