Hykmete Bajrami, LDK, deputete.

Hykmete Bajrami: Ministria e Inovacionit u Themelua për t’i Punësuar 50 Militantë të PDK-së

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar sot sqarime nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, rreth kompetencave që do t’i ketë kjo ministri e re në qeverinë e vendit.

Bajrami, gjatë seancës së sotme e pyeti Beqajn cili do të jetë raporti i ministrisë së tij me agjensionin për nxitjen e investimeve të huaja, KIESA e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri Beqaj dha vërejtje për funksionimin e kësaj agjensie.

“KIESA nuk ka rekorde të mira, as MTi sa i përket ndërmarrësisë. Projektet kanë qenë të pakta dhe nuk kanë pasur mbështetje financiare. Mjetet janë ndarë në mënyrë jotransparente për biznesin. Nuk po flas unë si besim por po flas me raporte të Auditorit”, tha Beqaj.

Ai shtoi se ministria e tij, buxheti i të cilës do të jetë rreth 20 milionë euro, do të koordinohet me të gjithë aktorët institucionalë dhe se “do të jetë derë e hapur për bizneset”..

Por Bajrami nuk u pajtua me vlerësimin e Beqajt për KIESA duke thënë se në raportet e auditorit, MTI, e cila ishte drejtuar nga ajo gjatë mandatit të kaluar, është vlerësuar ndër tri më të mirat në qeveri.

Bajrami ka akuzuar qeverinë se e ka themeluar ministrinë e Beqajt “vetëm për t’i punësuar 50 militantë të PDK-së”.

“Bizneset nuk kanë me ditë a me shku te Ministria e Zhvillimit Ekonomik apo te e Inovacionit e Ndërmarrësisë’, tha Beqaj.

Në këtë debat ndërhyri edhe kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti i cili akuzoi ministrat e MTI-së për kontrollin e naftës.

“Veç kontrollin e naftës nuk po mundeni askush me ba”, tha Haliti.

“Kontrollin e naftës e keni ju. Tregoni nga jeni ba milioner”, u përgjigj Hykmete Bajrami.

“Unë mundem me t’akuzu ty, ti nuk mundem mua. Sepse unë nuk kam pasë asgjë në dorë”, ishte përgjigja e radhës e Xhavit Halitit.