Hungaria refuzon ekstradimin e Gruevskit në Maqedoni të Veriut

Një gjykatë në Hungari refuzoi të enjten kërkesën e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili duhet të përballet me drejtësinë në vendin e tij për ta vuajtur një dënim prej dy vjet burg.

Gruevski ishte dënuar nga një gjykatë në Maqedoni për blerjen ilegale të një veture të tipit Mercedes në vlerë prej 580 mijë euro gjatë kohës sa ishte kryeministër.

Maqedonia e veriut ka kërkuar ekstradimin e Gruevskit edhe për dyshimet se ai është një nga organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë kur turma njerëzisht hynë në ndërtesën e Kuvendit dhe lënduan disa deputetë të opozitës së atëhershme dhe gazetarë.

Edhe pse seanca e sotme në Budapest ishte e mbyllur, paraqitja e pazakontë e Gruevskit duke hyrë në ndërtesë tërhoqi vëmendjen e mediave. Ai u paraqit i prangosur, me prangat e mbuluara me jaknen e tij, syze dielli dhe një kapelë bejzbolli në kokë.