Foto: Kallxo.com

Humbja e Dokumentit të Pronës që e Blenë Vëllezërit e Sylejman Selimit

Të premten  “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin lidhur me një pronë prej 117 hektarësh në fshatin Resnik të Klinës.

Familja Hoti nga ky fshat pretendon se në vitit 1959 pronat i ishin marrë dhe ishin regjistruar dhunshëm në emrin e ndërmarrjes “Malishgan”.

Pas luftës familja ishte rikthyer në këto prona, ndërsa edhe përkundër disa padive, në vitin 2014 Agjencia Kosovare e Privatizimit nxori në shitjen pronat e “Malishganit”.

Padia e familjes Hoti në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme është hedhur poshtë si e pabazuar, ndërsa kjo familea nuk ka shpjegim se si një dokument të cilin ata e kishin dorëzuar në gjykatë, nuk gjendet në shkresat e lëndës.

“Avokati thotë e kam paraqitë para gjykatës, gjykata thotë nuk e ka paraqitur. Neve na ka ardhur prej gjykatës që dokumenti s’ekziston”, thekson Emin Hoti një nga anëtarët e kësaj familjeje.

Në një proces interesant gjykatësi i çështjes kishte konstatuar se dokumenti në fjalë edhe pse ishte propozuar për t’u lexuar në gjykatë, nuk ishte në provat e lëndës. Dokumenti ka humbur diku.

“Ata i referohen një vendimi të cilin ata nuk e kanë dorëzuar në gjykatë”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Personi i cili pretendohet se ia ka ofruar gjykatës këtë dokument është avokati Albert Islami.

Ai nuk ka dashur të flasë para kamerës së DNK-së,  por në një përgjigje me shkrim ka thënë se i ka dorëzuar të gjitha shkresat në gjykatë.

“Në shkresat e lëndëve lidhur me restituimin e pronave të paluajtshme nr. SCC-11-0289 dhe 2963-2015 gjenden të bashkëngjitura të gjitha provat e duhura me të cilat vërtetohen faktet juridikisht të vlefshme lidhur me këtë çështje juridiko-pronësore, ku me ç ‘rast gjendet edhe prova në të cilën thirreni edhe ju, e ashtuquajtura ‘reshenje’”, u përgjigj avokatit Islami.

Restituimi është proces me të cilin kërkohet kthimi në gjendjen e mëparshme.

Kur ekipi i DnK-së ka kërkuar sqarime shtesë nga avokati nëse ai ka dëshmi se shkresa në fjalë është dorëzuar në gjykatë, ai nuk ka dhënë përgjigje.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës nuk ka dhënë sqarime për dokumentin të cilin familja Hoti ka akuza se ku mbeti me arsyetimin se ndaj lëndës në lidhje me këto prona ka ankesë.

“Për këtë lëndë procedura gjyqësore në shkallë të parë gjyqësore është  përfunduar me aktgjykimin. Kundër këtij aktgjykimi është parashtruar ankesë nga  pala paditëse. Ankesa është në fazën e parë të procedimit në Kolegjin e Apelit dhe derisa të përfundojë procedura lidhur me ankesën nuk mund të japim të dhëna tjera”, thuhet në përgjigjen e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.

Pretendimet e familjes Hoti për humbjen e dokumentit mund t’i ndiqni në vijim.

Si rezultat i një procesi konkurrues në valën e 59  Agjencia Kosovare e Privatizimit e shiti pronën e ndërmarrjes “Malishgan” prej 117 hektarë për 164 mijë e 850 euro.

Një ari tokë e kësaj ndërmarrje u shit vetëm 14 euro!

Blerëse e pronës së ndërmarrjes “Malishgan”është kompania “Mirusha”. Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, kompania “Mirusha” është regjistruar në pronësi të vëllezërve të Sylejman Selimit.