Pamje nga publikimi i hulumtimit nga UNDP dhe Dogana e Kosovës - Foto: UNDP

Hulumtimi: Qytetarëve u Kërkohet Ryshfet në Doganë

Dokumenti i veprimit i Pulsit Publik i titulluar “Ndikimi i procedurave të ndërlikuara në nxitjen e korrupsionit të Doganave të Kosovës” tregon se 5 për qind e personave të anketuar janë kushtëzuar për ndonjë shërbim në këmbim të ryshfetit, dhuratave apo favoreve të tjera.

Sipas hulumtimit, i cili është realizuar me mbështetjen e UNDP-së dhe USAID-it, 93% nga 200 të anketuarit thonë se nuk janë sprovuar me ndonjë lloj të korrupsionit në 12 muajt e fundit në Doganat e Kosovës.

Po ashtu, hulumtimi tregon se 68% e të anketuarve konsiderojnë që procedurat e tanishme doganore janë të komplikuara, ndërsa 9% mendojnë se ato nuk janë të komplikuara.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se 86% e respondentëve janë të kënaqur me informatat që pranojnë nga Dogana lidhur me procedurat doganore kurse rreth një e treta e tyre besojnë që zyrat e Doganës kanë ende nevojë për përmirësim në lidhje me informatat që kanë të bëjnë me taksa.

Alessandra Roccasalvo, përfaqësuese e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) tha se në këtë hulumtim janë pyetur njerëzit mbi eksportin, importin, procedurat doganore dhe mbi perceptimin e korrupsionit për të cilin tha se zakonisht ndikohet për shkak të ndërlikimit të procedurave.

“Pa hyrë më tepër në detaje më lejoni të ju them që një shumicë e madhe, afër 86 për qind, nuk kanë dhënë ryshfet për Doganën. Një gjë që e kam mësuar kur erdha në Kosovë është se lajmet zakonisht bëhen të vjetruara shumë shpejt dhe perceptimi i publikut është më i ndërlikuar për shkak se gjithmonë ka diçka të re. Çfarë ishte dje e re sot vjetrohet”, tha Alessandra Roccasalvo.

Ndërsa, Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, tha se Dogana e luan një rol shumë të rëndësishëm në luftimin e kontrabandës, në luftimin e ekonomisë joformale dhe mbrojtjen e shoqërisë dhe sigurisë.

“Të gjeturat dhe dobësitë nga ky hulumtim do të merren me seriozitetin më të madh nga Ministria e Financave dhe nga menaxhmenti i Doganës, pra të gjeturat duhet të shndërrohen në veprime konkrete, me qëllim të eliminimit të këtyre dobësive dhe krijimit të një administrate doganore që ka vlera dhe që kryen shërbime cilësore me një kosto më të ulët, pa një burokraci dhe pa kushtëzime për kryerjen e detyrave zyrtare,” tha zëvendësministri Krasniqi.

Edhe ushtruesi i detyrës i drejtorit të Doganave, Fahri Gashi, tha se të gjeturat dhe mangësitë nga ky hulumtim do të shndërrohen në një plan veprimi dhe do të futen në objektivat për vitin pasues.

Gjatë prezantimit të dokumentit të veprimit nga UNDP-ja dhe Dogana, Gashi tregoi se njësitet e brendshme apo Standardet Profesionale gjatë periudhës janar-dhjetor 2016 kanë pranuar 47 informata të ndryshme.

“Vetëm gjatë këtij viti zyrtarët e hetimeve nga Dogana kanë trajtuar 8 raste të zyrtarëve në hetime penale, janë iniciuar 22 raste disiplinore në gjithsej 34 zyrtarë në procedurë, komisioni disiplinor ka shqiptuar 21 masa disiplinore, ndërsa në nivelin lokal janë trajtuar 9 raste dhe janë shqiptuar 11 masa disiplinore ndaj 11 zyrtarëve,” potencoi Gashi.

Redaktoi: Naser Sertolli