Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Hulumtimi: Gjykatat më të Ndikuarat nga Politika

Qytetarët në Republikën e Kosovës e kanë perceptuar sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial si shumë të ndikuar nga personat me ndikim politik.

Ky perceptim u lexua nga Albana Merja prej Grupit për Studime Juridike dhe Politike që organizoi tryezën e diskutimit me temën “Sfidat në Sistemin e Drejtësisë: Pavarësia, Paanshmëria dhe Efikasiteti i Sistemit Gjyqësor në Kosovë”.

“Është shumë shqetësues fakti që rreth ¾ e të anketuarve mendojnë se personat me mbështetje politike janë të fuqishëm dhe nuk ndëshkohen lehtë nga ligji dhe kjo bën që qytetarët të mos ndihen të barabartë gjatë proceseve të ndryshme gjyqësore”, tha Merja.

Merja lexoi edhe disa statistika të nxjerra nga hulumtimi, ku thuhet se institucionet të cilat ndikohen më shumë nga politika janë gjykatat me 77.4 për qind, prokuroritë me 67.9 për qind, policia pe 41.7 për qind dhe EULEX-i me 17.6 për qind.

Hilmi Jashari, avokat i Popullit u shfaq i shqetësuar me çështjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Jashari tha se edhe funksionimi i sistemit të drejtësisë mbi bazën e parimeve kushtetuese ka dështuar të zbatohet në veri dhe sipas tij qytetari është vënë në pozitë të pabarabartë për shkak të qasjes  në sistemin e drejtësisë.

“Si konkludim, për të mos marrë kohë shumë, për neve mbetet si shqetësim absolut  çështja e pavarësisë së pushtetit gjyqësor sepse nuk është faji i individëve sepse mund të kenë kapacitete të shkëlqyeshme… Por kjo nuk mund ta ndihmojë daljen nga situata për shkak te problemeve sistematike të cilat ekzistojnë  në sistemin e drejtësisë”, tha Jashari.

Ai shtoi se pavarësia financiare dhe buxhetore luajnë rol shumë të madh për sistemin e drejtësisë.

“Në radhë të parë i referohem pavarësisë financiare dhe buxhetore të vetë sistemit, aftësisë për t’u vetorganizuar edhe për të pasë fjalën vendimtare në emërimin e gjyqtarëve ose personelit tjetër”, tha Jashari.

Makifete Saliuka, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përmendi disa sfida të cilat duhet t’i luftojnë gjyktat.

Ajo deklaroi se duhet të bëhet më shumë për ta kthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Sfidë në vete është edhe luftimi i të gjitha veprave penale që ndodhin në shoqërinë tonë, në fokus të veçantë në veprat penale të korrupsionit zyrtar, krimit të organizuar, terrorizmit, nxitjes së urrejtjes e përçarjes në çfarëdo baze, pa i përjashtu të tjerët për të forcuar shtetin e të drejtës në Kosovë”, tha Saliuka.

Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, u pajtua se janë shumë shqetësuese të dhënat e hulumtimit që  opinioni ka krijuar për sistemin e drejtësisë  në Kosovë.

Ai tha se nuk mungon puna në sistemin prokurorial, por se shqetësuese janë financimi dhe siguria.

“Siguria është pikë e dytë që i shqetëson prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Beka.

Ai shtoi se çështja e sigurisë duhet të debatohet dhe të zgjidhet.

Beka tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë është jashtëzakonisht e suksesshme. Këtë, sipas tij, e  ka vlerësuar edhe Prokuroria e Shtetit edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Beka tha se janë dyfishuar lëndët e zgjidhura nga prokuroria.

“Problemi është në gjykatë. E kemi ngulfat gjykatën me akuza e gjyqtarët prezentë nuk munden me zgjidh numrin e lëndëve që i kemi dërgu”, tha ai.

Urgjent sipas Bekës duhet të rritet numri i gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.