Serbeze Haxhiaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për raportim në çështje të varfërisë. Foto: AGK

Hulumtimi i BIRN për Gratë e Dhunuara në Luftë Shpërblehet nga UNKT/AGK

Gazetarja Serbeze Haxhiaj fitoi sot Çmimin për Storjen më të Mirë në gazetari të shkruar me hulumtimin e BIRN rreth agonisë së grave kosovare të dhunuara gjatë luftës së viteve 1998- 1999.

Çmimi është dhënë nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në kuadër të shënimit të Ditës ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë dhe me qëllim të promovimit të rritjes së debatimit rreth çështjeve dhe shkaqeve të varfërisë në Kosovë.

Hulumtimi i Haxhiajt “Agonia e Pafund e Grave të Dhunuara në Luftën e Kosovës” është publikuar në sajtin kryesor të BIRN, Balkan Insight dhe në Gazetën Jeta në Kosovë.

Storja tregon se si gratë që kanë përjetuar dhunimet dhe torturat gjatë luftës në Kosovë jetojnë në varfëri ekstreme dhe po hezitojnë të aplikojnë për skemat e kompensimit për shkak të stigmatizimit që mbizotëron ende në shoqërinë kosovare, gati 20 vjet pas luftës.

Artikulli është publikuar si pjesë e programit të BIRN për Drejtësi Transicionale i cili që nga viti 2012 mbulon storjet rreth përballimit me të kaluarën në ish Jugosllavi, me fokus në përpjekjet për drejtësi penale, të drejtat e viktimave, kujtesën dhe reformën institucionale.

Juria e këtij Çmimi e përbërë nga Lundrim Aliu nga Banka Botërore, Arta Berisha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Arben Hajredinaj nga OSBE, Djordje Jevtić nga Asociacioni i Gazetarëve Serb në Kosovë dhe Violeta Hyseni-Kelmendi, eksperte e pavarur- kanë përzgjedhur gjashtë fitues në gjashtë kategori.

Gazetarët fitues janë shpallur sonte, gjatë ceremonisë në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, gazetarë, donatorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Përveç Serbeze Haxhiajt, gazetarja e RTK-së Valdete Osmani fitoi çmimin në kategorinë Video tregimi i shkurtër më i mirë, me tregimin në lajme “Të jetosh një jetë të vështirë”, e transmetuar nga RTK; Anxhelka Çup fitoi çmimin në kategorinë TV dokumentari më i mirë me reportazhin “Të jetosh si minoritet”, të transmetuar nga RTV; Majlinda Doda fitoi çmimin në kategorinë Audio tregimi më i mirë me radio reportazhin “Si i përmbush Kosova Sfidat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, të transmetuar nga Radio Kosova dhe Driton Paçarada fitoi në kategorinë Fotografia më e mirë.

Në vazhdim, çmimin e veçantë për amator, me qëllim të mbështetjes së gazetarisë qytetare, e fitoi Qendresa Uka, me artikullin “ Burgu ku të drejtat e të miturve janë të shkelura”, të publikuar nga ëëë.ponder-ks.org.

Programi gjithashtu u shqua me fjalimin frymëzues dhe një instalim nga artistja e njohur Alketa Xhafa Mripa e cila fluturoi nga Mbretëria e Bashkuar për këtë eveniment. Paraprakisht, Xhafa Mripa ka qenë kreatorja kryesore e instalacionit “Mendoj për ty” të mbështetur nga UNWOMEN në Kosovë.