Hoxhiq prezanton Raportin 100 ditor të punës

Ministrja në largim e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq ka prezantuar gjatë ditës së djeshme raportin 100 ditor të punës së Ministrisë.

Në konferencën e mbajtur Hoxhiq ka folur për arritjet dhe sfidat e MAPL-së gjatë këtyre 100 ditëve të punës.

“Zhvillimin e legjislacionit,  mbikëqyrja dhe monitorimi i komunave në ushtrimin e funksioneve publike, agjenda evropiane, performanca komunale, transparenca, bashkëpunimi ndër-komunal, komunal ndërkombëtar dhe ndërkufitar, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm komunal. Për periudhën 100 ditore të punës, janë nënshkruar 45 Marrëveshje me Kryetarët e Komunave, për të realizuar 45 projekte të investimeve kapitale, në vlerë prej 2 milion e 861 mijë e  445 euro”, ka prezantuar ministrja.

Hoxhiq po ashtu ka prezantuar se në periudhën 100 ditore janë lansuar dy fonde stimuluese për komunat, fondi për barazi gjinore dhe fondi për bashkëpunim ndër-komunal.

Në fund të prezantimit, Hoxhiq ka paraqitur rekomandimet që duhet të adresohen si një përpjekje e përbashkët institucionale për të përmirësuar dhe mbështetur vetëqeverisjet lokale, të cilat sipas saj janë integrimi cilësor i komuniteteve në organet e vetëqeverisjes lokalë, transparenca,

përfshirja e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, përfshirja  e të rinjve në të gjitha proceset e planifikimit dhe zbatimit të politikave lokale, rritja e sigurisë në ndërtim, rritja e përfaqësimit të grave në organet vendimmarrëse dhe rritja e bashkëpunimin ndërmjet komunave.

Në këtë prezantim i pranishëm ishte edhe Jan Braathu, Ambasadori i OSBE-së në Kosovë i cili theksoi se OSBE së bashku me MAPL-në kanë një bashkëpunim të shkëlqyer në realizimin e Planit të Përbashkët Programatik MAPL – OSBE, plan i cili derivon nga Strategjia për Vetëqeverisje Lokale 2016 – 2026.

Në këtë ngjarje pjesëmarrës ishin deputetë nga Kuvendi i Kosovës, Ambasadorë të huaj, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.